Cili është roli i departamentit BrainGain në Partinë Demokratike

Departamenti Brain Gain është strukturë administrative e Partisë Demokratike, i cili duhet dalluar nga strukturat politike apo përfaqësuese.

Misioni dhe Vizioni

DREJTIM VIZIONAR
ZHVILLIM I PËRBASHKËT

1. Laboratori i Ideve

Laboratori i Ideve është projekti kryesor i Brain Gain i dedikuar nxitjes së debatit, ashtu…

2. Selia e PD; përtej politikës

Projekti “Selia e PD përtej Politikës” synon të transformojë selinë qendrore të Partisë Demokratike në…

3. PODCAST (Zërat)

Podcast (Zërat) është një program inovativ që ofron një platformë për diskutime dhe intervista me…

Pyetje te shpeshta

Çfarë është Departamenti Brain Gain?

Departmenti Brain Gain u krijua në tetor 2022, pas lëvizjes së ‘Foltores’ dhe procesit të rithemelimit të Partisë Demokratike. Ky department është krijuar duke u bazuar në nevojën themelore të hapjes së Partisë Demokratike dhe pasurimin e saj me burime njerëzore, të cilat nuk i kishte prekur deri atëherë.

Departamenti Brain Gain është strukturë administrative e Partisë Demokratike, i cili duhet dalluar nga strukturat politike apo përfaqësuese.

Strukturat politike janë strukturat si Kryesia të cilat marrin vendimet politike dhe vendosin strategjinë e përgjithshme të PD. Strukturat përfaqësuese janë struktura të zgjedhura dhe që përfaqësojnë Partinë në institucione të ndryshme si Kuvendi, Këshillat Bashkiakë etj.

Departamenti, si strukturë administrative, është në shërbim të dy strukturave të tjera dhe rrezja e veprimit përkufizohet nga vendimi i krijimit të tij. Departamenti Brain Gain është i ndarë në dy pjesë, rrjeti shqiptar dhe rrjeti ndërkombëtar.

Departamenti përbëhet nga studentë dhe profesionistë shqiptarë që kanë mbaruar shkollat e larta më të mira në Shqipëri dhe jashtë saj ose që kanë një ekspertizë të veçantë dhe të spikatur në fusha të ndryshme që pasurojnë veprimtarinë e Partisë Demokratike.

Rrjeti ndërkombëtar i departamentit drejtohet nga Andi Mustafaj, ndërsa rrjeti shqiptar nga Elior Vila.

Departamenti bazohet mbi një filozofi, e cila është zhvilluar nëpërmjet mbledhjeve të anëtarëve fillestarë dhe projekteve të ndryshme të realizuara. Dy idetë bazë janë:

  1. Një hapësirë për çdo demokrat: Në mënyrë të thjeshtëzuar mund të themi që në Shqipëri angazhimi politik shihej në mënyrë shumë të kufizuar. Bëhej politikë vetëm nëpërmjet pranisë fizike dhe pjesëmarrjes në mbledhje, protesta etj.

2. Frutet e mendjes sonë t’ua kthejmë rrënjëve që na kanë ushqyer: Brain Gain synon të sjellë një qasje tjetër në politikbërje, ku t’i mëshohet fort aspekteve intelektuale dhe të forta. Rinia shqiptare ëndërron të ikë dhe ne gëzohemi për arritjet e saj jashtë vendit, ndërkohë që i shpërfillim kur janë në Shqipëri.

Departamenti është organizuar që të funksionojë në bazë të realizimit të projekteve. Anëtarët janë të shpërndarë nëpër botë e në Shqipëri dhe nëse u kërkohet një angazhim intensiv në kohë të gjatë rrezikohet një lodhje apo një shkëputje nga puna.

Në të kundërt projektet kanë një kohë qartësisht të përcaktuar për realizimin e tyre. Disa janë më të gjatë dhe disa më të shkurtër dhe çdo anëtar vendos sipas kohës që ka në dispozicion. Mund të kalojnë më pas një farë kohe pa u angazhuar dhe të rikthehen.

Ideja thelbësore është që anëtarët i japin departamentit dhe politikës gjënë më të rëndësishme që kanë, e cila është koha. Është një qasje ndryshe nga shumë. Financat janë gjëra që vijnë dhe ikin, ndonjëherë edhe shëndeti mund të kthehet, por e vetmja gjë që nuk kthehet asnjëherë është koha, ndaj është dhe gjëja me e rëndësishme që ne japim.

Ne i ndajmë në logjikën tonë kohën politike në 3: koha e mendimit, koha e vendimit, koha e zbatimit. Në kohën e mendimit bisedat në formën e brainstorming janë të gjalla dhe shpesh në kundërshtime të forta. Anëtarët shtjellojnë idetë e tyre. Gjatë kohës së vendimit anëtarët e departamentit vendosin së bashku nëpërmjet votës dhe jo nëpërmjet imponimit. Pasi kalojnë këto dy kohë, pavarësisht mendimeve të ndryshme anëtarët bëjnë trup dhe zbatojnë vendimin e grupit.

Projektet afatgjata dhe që mund të quhen shtyllat më të rëndësishme të veprimtarisë janë: Libri i Punëve të Mira i PD, Laboratori i Ideve, Selia e PD Përtej Politikës, Akademia Brain Gain, Laboratori i Sukseseve Mirditë, Podcasti Zërat, Në kërkim të simboleve.

Projekte afatshkurta të realizuara janë: Vera e Ideve, pjesëmarrja në konferenca të ndryshme publike, projekti “Dhuro një libër, ndriço një mendje”, etj.

Ideja e Brain Gain është thithja e trurit që i ikën Shqipërisë nëpërmjet emigracionit. Për një kohë të gjatë kthimi i trurit është parë në mënyrë të ngushtë, me kthimin fizik për të punuar në administratën shqiptare.

Ishte Partia Demokratike e para, e cila krijoi një strategji të tillë politike gjatë qeverisjes së saj, duke krijuar ‘Fondin e Ekselencës’, dhe duke parashikuar bonuse në rroga për Shqiptarët që kishin studiuar jashtë dhe që ktheheshin për të punuar në administratën publike.

Mirëpo gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste, hendeku, në vend që të zvogëlohej, ka ardhur vetëm duke u zmadhuar me një emigracion masiv të rinisë dhe trurit. Politikat e mira u zhbënë duke i lënë vendin disa projekte të paqarta si Këshilli i Diasporës, për të cilin ka shumë pak informacione dhe pamundësi për të vlerësuar punën e tij.

Si pasojë, departamenti Brain Gain ka ndërtuar një strategji dhe teori, e cila është e ndarë në 3 momente të ndryshme.

Momenti i parë është ajo që quhet Brain Gain politik. Synon thithjen e trurit që të angazhohet në mënyrë aktive brenda një partie politike, kryesisht Partisë Demokratike, e cila ka krijuar kushtet për një gjë të tillë. Ky është një ‘brain gain’ i vogël në numër sepse në mënyrë logjike përthithen elementët që dëshirojnë të angazhohen në politikë. Kjo është faza e parë që bëhet teksa PD është në opozitë.

Më pas vjen Brain Gain administrativ, i cili fillon me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike. Në këtë moment duhet miratuar një korpus normativ nxitës në aspektin financiar dhe të ngjitjes së karrierës që të përthithen elementët më të mirë.

Faza e tretë, e cila është edhe më masivja në numër, është Brain Gain ekonomik, ku falë ndryshimit të politikës dhe administratës, një numër i madh sipërmarrësish, drejtuesish kompanish, etj., kthehen dhe e bazojnë veprimtarinë e tyre kryesore ekonomike në Shqipëri.

FRPD është një organizatë partnere e PD dhe jo një strukturë e brendshme administrative e saj. Gjithashtu FRPD synon të mbledhë kryesisht rininë që gjendet në Shqipëri dhe që është nën 35 vjeç, aty ku Brain Gain synon kryesisht shqiptarët që janë jashtë (ose ata që janë në Shqipëri por që janë kthyer) dhe pa dallim në moshë.

Veprimtaria e njërës plotëson tjetrën siç është edhe logjika që duhet të mbizotërojë brenda një grupimi politik.

Edi Rama ka mbushur Shqipërinë me konflikte artificiale me synim që të dobësohen opozitat rreth tij. Në këtë mënyrë një prej konflikteve artificiale më të mëdha është dallimi midis të rinjve dhe të vjetërve me idenë se të vjetrit nuk lejnë vendin për të rinjtë.

Ne besojmë thellë që bashkimi i të gjitha forcave të gjalla, ku secili jep më të mirën e vet është e vetmja mënyrë për të krijuar një dinamikë mjaftueshme të fortë për të thyer regjimin. Në këtë drejtim për ne “lidhja midis brezave” është një parim themelor i veprimtarisë sonë dhe pasqyrohet në projektet e ndryshme që kemi bërë si Libri i Punëve të Mira, Në Kërkim të Simboleve, Selia e PD përtej politikës etj.

Në një rrafsh tjetër logjik, shprehjet që në mënyrë absolute thonë kush duhet të ik dhe kush duhet të vijnë janë në kundërshtim me parimet e demokracisë në të cilat ne besojmë.

Në demokraci njerëzit nuk lejnë vendin. Për sa kohë ata përfaqësojnë vullnetin e shumicës së anëtarëve të një grupimi të caktuar (brenda një partie, brenda shtetit) atëherë ata kanë të drejtën legjitime të vazhdojnë punën e tyre. I vetmi element që ka rëndësi është që ky vullnet të përfaqësohet (gjithmonë në respekt të së drejtave të pakicës).

E rëndësishme për një parti politike nuk është të lirojë një pjesë vendin një tjetre, konkretisht të vjetërit të rinjve, por ti krijohen kushtet të rinjve të shprehin veten e tyre intelektualisht dhe politikisht. Në rastin e PD, prova është Departamenti Brain Gain ku të gjithë projektet na janë miratuar dhe kemi arritur në kaq pak kohë të kemi hapësirë. Kur flasim për hapësirat për të rinj duhet të kemi të qartë që nuk është qëllim të ulet mosha mesatare, por të rritet cilësia dhe standarti nëpërmjet ideve të reja

Lideri i Partise Demokratike Prof. Dok. Sali Berisha ka qenë një nga arkitektët e lëvizjes së rinisë në vitet ’90, kur ajo luajti një rol kyç në ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri. Ai ka vazhduar ta mbështesë aktivizmin e të rinjve përmes nismave si Brain Gain, një departament i Partisë Demokratike që synon të rikthejë talentet e rinisë shqiptare nga diaspora dhe të angazhojë ata në zhvillimin e vendit. Kjo mbështetje e drejtpërdrejtë i jep rinisë mundësinë të kontribuojë në politika inovative dhe krijimin e një të ardhmeje më të mirë për Shqipërinë.

Cili është roli i opozitës (denoncimi, ndërtimi, institucionet)?

Ka pyetje të shumta që rrotullohen në fakt rreth rolit të opozitës në një vend. Për shembull: Pse opozita nuk e rrëzon Edi Ramën? Pse opozita e la të miratohet këtë reformë? Etj.

Është një narrativë e mirëinstaluar tashmë që synon të kthejë vëmendjen tutje nga qeveria për të fajësuar opozitën, për defektet e shumta të sistemit shqiptar.

Kjo tregon gjithashtu se ka një keqkuptim të madh në Shqipëri për rolin e opozitës. I ngarkohet shpesh që të luajë rolin e dikujt tjetër, një rol që nuk e ka dhe që është roli i drejtimit. Edhe në një vend të mirëfilltë demokratik opozita nuk ka shumë pushtet, e jo më në autokracinë moderne shqiptare.

Opozita duhet:

  1. Të mbajë një trysni mbi qeverinë duke denoncuar publikisht skandalet, rastet e korrupsionit, kriminalitetit etj., (veprimtaria jashtë institucioneve), duke qenë se statuti i të zgjedhurve nga populli u jep atyre një mbrojtje institucionale. Këtë Partia Demokratike e ka kryer shumë mirë ndër vite. E ka kryer edhe përtej rolit të saj, ku ka marrë rolin që në një shoqëri demokratike e luajnë shoqëria civile, sindikatat etj. Fatkeqësisht për shkak të mënyrës së ndërtuar të sistemit, dhe veçanërisht çështjes së financimeve, OJF-të janë shumë të varura ose kanë veprimtari të ndërthurur me shtetin, gjë që kufizon paanësinë në kryerjen e misionit të tyre.
  2. Të përfaqësojë interesat e zgjedhësve të tyre brenda institucioneve (veprimtaria kushtetuese/institucionale), në hartimin e ligjeve dhe akteve të tjera normative. Fatkeqësisht kjo e drejtë është plotësisht e mohuar sot në Shqipëri, ku institucionet janë në kolaps të plotë. Ndarja e pushteteve nuk është e siguruar, ligjet hartohen në ministri dhe miratohen pa ndryshime nga parlamenti, i cili është kthyer në një dhomë regjistrimi. As e drejta për ngritjen e komisioneve hetimore, nuk i njihet më opozitës. Në këtë drejtim rruga është e kufizuar dhe opozita është detyruar të bëj aksione më të dukshme që të tërhiqet vëmendja tek situata e krijuar.
  3. Të ndërtojë alternativën për qytetarët, duke rritur besimin brenda tyre tek aftësia e opozitës për të drejtuar vendin dhe për ta çuar atje ku duhet. Kjo bëhet nëpërmjet prodhimit intelektual, të programit. Bëhet duke treguar se Partia ka burime njerëzore të afta për të drejtuar administratën, për të shkruar reforma dhe për ti bërë ballë sfidave botërore që mund të prekin vendin. Këtë PD po e bën nëpërmjet krijimit të Departamentit Brain Gain, hartimit të Kushtetutës së Vlerave të Djathta, Konferencave tematike, Librit të Punëve të Mira të PD, etj.

Pra, opozita po bën çdo gjë që mund të bëjë, por qeveria ia mohon pjesën institucionale, sepse dëshiron ta shtyjë atë në ekstreme, për ta sulmuar më pas. Në Shqipëri është vendosur një autokraci moderne.

Departamenti BrainGrain
Privacy Overview

Kjo faqe interneti përdor "cookies" në mënyrë që të mund t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i "cookies" ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmimi i ekipit tonë për të kuptuar cilat seksione të faqes i gjeni më të interesueshme dhe të dobishme.