Departamenti Brain Gain

PËR SHEKULLIN SHQIPTAR

Për Shekullin Shqiptar

Rrugëtimi politik i Partisë Demokratike, si në momentet e udhëheqjes së Shqipërisë, ashtu edhe në ato të opozitarizmit, është një histori e veçantë që shëmbëllen rrallë në historinë e vendit tonë, dhe si pak herë në simotra të saj në shtetet përreth. Ajo ka treguar një forcë të pashtershme për t’iu përshtatur rrethanave, kushteve dhe, madje, fatit, duke u bërë një simbol i stoicizmit politik. Qysh prej krijimit të saj, kur ëndrrat për një Shqipëri europiane ishin më të mëdha se vuajtjet që kishin përjetuar shqiptarët gjatë pesë dekadave të fundit, Partia Demokratike ka marrë përgjegjësinë për realizimin e këtyre ëndrrave.

Në një terren që pasqyronte agresivitetin e padurimit, ku gjithçka që kishte munguar prej dekadash iu përplaste demokratëve si një urgjencë që duhej përmbushur menjëherë, Partia Demokratike e pranoi detyrën e saj. Ajo arriti të krijojë themelet e shtetit ligjor, ekonomik, social dhe politik, duke qëndruar stoike në përpjekjen për të realizuar premtimin e madh që kishte lindur nga dëshira, po aq sa nga nevoja e asaj periudhe historike të fillimit të viteve ‘90. Ky ishte një proces i ngadalshëm, por i domosdoshëm, që kërkonte durim, besim dhe dashuri për vendin.

Partia Demokratike e ka mbajtur këtë premtim, duke firmosur çdo hap të rëndësishëm në rrugën e zhvillimit të Shqipërisë gjatë 33 viteve të fundit, në fushat politike, diplomatike, ekonomike dhe shoqërore. Krenaria që buron nga këto arritje ushqen guximin dhe heq çdo frikë, duke i dhënë forcë demokracisë. Demokracia dhe koherenca e mendimit janë ato që shpjegojnë pathyeshmërinë e PD-së, edhe pas dymbëdhjetë viteve të errëta nën autokracinë elektorale, një periudhë që solli pesimizëm dhe rrëzimin e trashëgimisë së PD-së që ishte lënë në vitin 2013.

Shqipëria, që ka humbur në rrugën e regresit nën ndikimin e forcave anti-kombëtare të majta, ka nevojë për një udhëheqje që ta rikthejë në rrugën e zhvillimit. Përsëri, Partia Demokratike duhet të shërbejë si drejtuesi i këtij rikthimi, duke i sjellë bashkë shqiptarët, përfshirë ata të djathtë e të majtë, patriotët dhe ata që kërkojnë një Shqipëri të lumtur dhe të zhvilluar, me një vlerësim të moralit dhe familjes, me zhvillim ekonomik dhe besim në të ardhmen e vendit.

Sot, më shumë se kurrë, Partia Demokratike duhet të përballet me detyrën që historia ia ka ngarkuar, dhe të përdorë forcën e saj për të nxitur shpresë dhe besim. Ajo duhet të rinisë gjithçka që ka lënë pas, duke mbjellë dhe zhvilluar një Shekull Shqiptar, një shekull që do të reflektojë dinjitetin, zhvillimin dhe të ardhmen që ky komb meriton.