Për një hartë dixhitale dhe interaktive të propozimeve të Partisë Demokratike në rang kombëtar dhe lokal
Andi Mustafaj është Drejtues i Departamentit Brain Gain
Aurora Barci është anëtare e Departamentit Brain Gain
Të dhënat e mbledhura në terren nga kandidatët dhe anëtarët e Partisë Demokratike përpara dhe gjatë fushatës elektorale, mundësojnë një pamje të qartë dhe të pasur të vështirësive të vërteta me të cilat ndeshen qytetarët Shqiptarë në jetën e tyre të përditshme. Për më tepër, duke mbledhur këto dhëna nëpërmjet takimeve të panumërta, krijohet mundësia që vet Partia Demokratike të lidh një marrëdhënie të re besimi me qytetarët. Si e tillë, kjo punë në terren është e paçmueshme. Fatkeqësisht, është në të njëjtën kohë e nënvlerësuar.
Sado i vështirë të jetë ky konstatim, duhet të pranojmë se të dhënat e mbledhura nuk transformohen më pas politikisht në dobi të qytetarëve.
Një pjesë e tyre përdoret nga shtabet por në fund të gjitha humbasin dhe nuk mundësojnë ushqimin e programit në mënyrë afatgjatë, kuptimin e ndryshimit në kohë të problematikave të qytetarëve apo zhvillimin e një strategjie evolutive dhe të përshtatshme nga strukturat e PD.
Kjo çështje është thelbësore sepse përballë, kemi një makineri të vërtetë lufte. Një makineri që mbledh të dhëna në të gjitha fushatë e mundshme siç treguan master filet e mëdhenj që u bën publik. Në vend që të përdoren për të mirën e qytetarëve ato përdoren për të manipuluar njerëzit. Këtu qëndron fatkeqësia.
Aty ku Rilindja kriminale i ofron shqiptarëve patronazhistët që vjedhin të dhënat e tyre dhe i përdorin për t’i manipuluar, ne mendojmë që përdorimi i të dhënave në mënyrë etike, efektive dhe transparente, mund të ndihmojë ekipet e fushatës së Partisë Demokratike që të kuptojë më mirë nevojat dhe prioritetet e elektoratit.
Një vlerë e shtuar për hartimin e programit elektoral dhe rritjen e besimit të elektoratit gjatë kësaj fushate (por edhe me gjerë mbas saj) do të ishte:
dixhitalizimi i të gjitha problematikave qytetare të mbledhura në terren
duhet të jetë lehtësisht e aksesueshme në mënyrë që çdo qytetarë të shohë angazhimin e plotë të strukturave të PD
publikimi online (nëpër rrjeteve sociale dhe faqeve zyrtare te strukturave të Partisë Demokratike) pas çdo takimi i problematikave dhe shqetësimeve të mbledhura (duke i grupuar sipas qytetit, njësisë elektorale, rrugës)
mundësimi i votimit online të qytetareve (simpatizantëve, elektoratit gri por jo vetëm) direkt pas takimit nëpërmjet live poll-it te krijuar ku qytetarët mund te rendisin problematikat e publikuara nga me kritiku tek me pak kritiku (1- jo kritik-10 shume kritik)
Ky proces është një aplikim i pastër demokracie sepse i jep rolin më të lartë qytetarit dhe i mundëson atij transparencën dhe të drejtën për të vendosur për qytetin e tij.
Kjo hartë do shërbej për të hartuar programe dhe strategji politike më të spikatura si dhe do mundësojë që publikisht dhe në mënyrë të vazhdueshme Partia Demokratike të tregojë se punon në dobi të shqiptarëve për të zgjidhur problematikat e tyre.
Kjo hartë do të mundësojë gjithashtu që Partia Demokratike të emërojë përgjegjës lokal për zgjidhjen e problemeve. Në këtë mënyrë rritet ndjenja e përgjegjësisë si dhe mundësohet promovimi i përfaqësuesve të PD në çdo hallkë.
Duke i përpunuar dhe i përmbledhur këto të dhëna, qytetarët do kenë mundësi të shohin aftësinë organizative të Partisë Demokratike si dhe të shfaqet gjithmonë e më hapur situata e vështirë në të cilën gjendet vendi. Ne kemi besim të plotë se kjo strategji do të nxisë transparencën, rrisë angazhimin e elektorat-it (jo vetëm), dhe do të forcojë demokracinë në vend që aktualisht është në nivele të brishta.