Reforma territoriale: Dështimet, sfidat dhe domosdoshmëritë e zgjidhjes
Nga Juljan Ali
Pas reformës territoriale të vitit 2015, ku nga 65 bashki dhe 308 njësi më të vogla vendore (komuna), pas një reforme të njëanshme, kaluam në 61 bashki. Ishte kjo reformë e cila, sipas censusit të fundit, tregoi se në fshatrat Shqiptarë popullsia në dekadën e fundit ka rënë me 19%, ndërsa në shumë zona të tjera rënia është edhe më e thellë se mesatarja kombëtare.
Kjo ulje drastike e popullsisë vjen prej disa arsyesh, por ndër më kryesoret është: largësia e shërbimeve ndaj qytetarit dhe moskorrelacioni shtet–qytetar, duke sjellë kështu një migrim të brendshëm masiv drejt qyteteve ose drejt kryeqytetit, ose emigrim masiv. Kjo rënie e popullsisë sjell ulje të prodhimit vendas, ulje të konsumit dhe, si pasojë, ulje të taksimit, një zinxhir rëniesh në vazhdimësi. Por ajo që është më e rëndësishme është ulja e shpresës.
Vëmendja e qeverisjes vendore, kryesisht në të gjitha bashkitë e krijuara pas reformës së vitit 2015, është fokusuar kryesisht në qendrat urbane të bashkive dhe jo duke u shpërndarë njëtrajtësisht në zonat më rurale, një padrejtësi institucionale e cila prek jetën e përditshme të këtyre zonave të cilave shpeshherë u mohohen të drejta jetike. Po ashtu, njësitë administrative, të cilat në pjesën dërrmuese kanë zëvendësuar ish-komunat, ndryshe nga këto të fundit që kanë patur rol vendimmarrës dhe qeverisës lokal duke menaxhuar taksa dhe duke i kthyer ato në investime dhe duke iu përgjigjur nevojave të lokaliteteve, janë kthyer në zyra punësimi pa pasur ndikim real në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Në shumë raste ato nuk kanë as buxhet real dhe as kompetenca të mjaftueshme për të zgjidhur problemet më bazike të komuniteteve.
E pervec reformës zhvendosja e herë pas hershme e institucioneve të ndryshme juridike ose institucioneve të lidhura me cështje pronësie nga qytetet më të vogla drejt qendrave të qarqeve ose drejt kryeqytetit na tregon se asgjë nuk është vendimmarrje e momentit apo rastësi. Kjo ka krijuar edhe më shumë kosto, kohë të humbur dhe ndjenjë braktisjeje tek qytetarët e zonave të largëta.
Ndërkohë që bëjmë thirrje dhe presim që emigrantët të rikthehen në atdhe dhe të investojnë këtu mundin dhe dijet e tyre, nuk besoj se duam të rikthehen vetëm emigrantët e qyteteve. Emigrantët që rikthehen kërkojnë shkolla cilësore për fëmijët, shërbime jetike normale dhe standarde jetese dinjitoze. Kur bëjmë thirrje për investime në fshatra dhe turizëm malor, duhet të jemi seriozë: përveç thirrjeve dhe dëshirës së mirë të investitorëve, duhet të krijojmë kushte reale, standarde dhe shpresë të cilat i sjellin institucionet e qëndrueshme dhe shërbimet më pranë qytetarit. Në të kundërt, shkretimi do të vazhdojë. Sepse askush nuk investon aty ku shteti mungon dhe ku e ardhmja mbetet e pasigurt.
Modeli i ri
E përderisa jemi në prag të një reforme të re, ajo që duket edhe më utopike dhe larg çdo logjike vendimmarrjeje politike është fakti se numri i bashkive pretendohet të ulet akoma më tej në reformën e ardhshme nga e njëjta mazhorancë që dështoi me sukses në reformën e parë. Ndryshe nga të gjitha gjasat e ndodhive të një shteti funksional, ku gabimet reflektohen dhe çojnë drejt përmirësimit, nga po e njëjta mazhorancë që e vetme realizoi reformën e parë dhe me fuqinë pothuajse të pakufizuar të mandateve në vendimmarrjen për reformën e ardhshme, si pas të gjitha gjasave dhe kërkesave të parashtruara, pretendohet një ulje akoma më e madhe e numrit të bashkive, gjë e cila do ta thellonte më shumë krizën dhe defektet e parikuperueshme të reformës së kaluar.
Modelet të cilat do t’i përshtateshin Shqipërisë për një reformë duhet të vendosin në qendër qytetarin, kur bie fjala për reforma territoriale, gjithmonë dëgjojmë për kritere popullsie dhe kritere ekonomike, por pak flitet për çështje sociale, kulturore, historike dhe pozicionesh gjeografike. Në një vend si Shqipëria, me një gjeografi të ndryshme dhe me reliev në pjesën më të madhe kodrinor/malor dhe me një historik e kulturë të larmishme, nuk mund të bëhet një ndarje “me thikë” dhe thjesht bazuar në disa kritere të përcaktuara nëpër zyra.
Relievi malor i shumicës së bashkive dhe largësia gjeografike që krijohet nga zonat rurale drejt qendrës do ta shtonte edhe më shumë mungesën e vëmendjes nga qendra drejt periferisë, siç shihet edhe në shumë bashki sot. Po ashtu, diversiteti kulturor dhe historik, i cili në raste të ndryshme mbahet gjallë dhe përcillet falë edhe kontributit të bashkive përfaqësuese, do të merrte një goditje të madhe duke unifikuar bashki më të vogla që përfaqësojnë kultura dhe komunitete të caktuara. Shembull konkret mund të merren bashkitë që përfaqësojnë minoritete ose Bashkia Konispol, e cila përfaqëson në masë dërrmuese komunitetin çam. Ruajtja e këtij përfaqësimi është po aq e rëndësishme sa edhe vetë eficienca administrative.
Gjithashtu ne plan të parë duhet të jetë dhe karakteri ekonomik i seciles bashki pasi në nje rast hipotetik te uljes se numrit te bashkive ndodh qe bashki te cilat ekonomine dhe zhvillimin e kanë nepermjet turizmit te bashkohen me bashki malore te cilat ekonomine e bazojne ne frutikulture ose blegtori gje e cila do të na sillte ulje te produktivitetit dhe te vemendjes te nje fushe apo nje tjetre.
Një reformë ideale dhe mirëpërfaqësuese do të ishte duke rikthyer ish-komunat me një kriter popullsie dhe ekonomik të studiuar, duke i kombinuar me bashki më të mëdha dhe duke plotësuar kështu qarqet e vendit. E në mungesë të komunave, shtimi i numrit të bashkive gjithashtu mund të rriste performancën qeverisëse përkundrejt qytetarit në mënyrë më të njëtrajtshme dhe duke rritur proporcionalitetin në raport edhe me numrin e popullsisë, sepse me reformën aktuale kemi bashki me 1500 votues dhe në të njëjtën kohë bashki si Tirana me mbi 1,000,000 banorë një raport i cili është jashtëzakonisht i zhdrejtë.
Në këtë kuadër, një reformë e re duhet të jetë gjithëpërfshirëse, e konsultuar gjerësisht me komunitetet lokale dhe e bazuar në realitetin konkret të territorit, duke marre paraysh historikun, kulturen dhe jeten socialo-ekonomike e jo thjesht në modele teorike. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtohet një qeverisje vendore funksionale, e drejtë dhe afër qytetarit, duke rikthyer besimin dhe duke ndalur ciklin e braktisjes së zonave rurale.