Ndërthurja e përfshirjes të të rinjve në politikë me eksperiencën e më të mëdhenjve: Një formulë për një politikë të qëndrueshme në Shqipëri

Ndërthurja e përfshirjes të të rinjve në politikë me eksperiencën e më të mëdhenjve: Një formulë për një politikë të qëndrueshme në Shqipëri

Nga Neada Stana

 

Përfshirja e Të Rinjtë në Politikë: Një Kërkesë për Zhvillim dhe Qëndrueshmëri në Shqipëri

Shqipëria, si një vend me sfida të shumta politike, ekonomike dhe sociale, ka nevojë kritike për të inkurajuar pjesëmarrjen e të rinjve në politikë. Ky angazhim është thelbësor për krijimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për vendin. Angazhimi i të rinjve në proceset vendimmarrëse do të sjellë ide të reja, energji dhe një vizion të ri për të formuar një Shqipëri më të fortë në aspektin politik.

Megjithatë, strukturat qeverisëse, institucionale dhe ligjore, në lidhje me të rinjtë dhe angazhimin e tyre në politikë, hasin në sfida dhe mangësi. Përfshirja e të rinjve në proceset politike dhe vendimmarrëse është e pamjaftueshme. Aktualisht, nuk ka një kuadër të qartë dhe të përshtatshëm që të inkurajojë dhe mbështesë kontributin e të rinjve. Prandaj, është e nevojshme rishikimi dhe forcimi i kuadrit politiko-ligjor në të gjitha nivelet, qoftë ai kombëtar apo lokal. Kjo përfshin ndërmarrjen e hapave për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional, si dhe ndërtimin e mekanizmave të përshtatshëm që do të ndihmojnë në zhvillimin e angazhimit politik të të rinjve.

Propozime për Angazhimin e Të Rinjtë

Një ndër mënyrat për të inkurajuar të rinjtë të angazhohen më shumë në politikë është përfshirja e edukatës politike në sistemin arsimor. Duke krijuar module të veçanta për edukatën politike që në shkollat e mesme, mund të hapim një derë të rëndësishme për angazhimin e të rinjve në sferën politike. Kjo përgatitje i jep atyre një informacion më të plotë mbi mekanizmat demokratikë dhe rëndësinë e rolit të tyre në politikë.

Po ashtu, bashkëpunimi dhe dialogu aktiv me të rinjtë është i domosdoshëm. Qeveria dhe institucionet politike duhet të kenë mekanizma të përbashkët për të dëgjuar zërin e të rinjve dhe për t’i inkurajuar ata të marrin pjesë në hartimin e politikave dhe proceseve vendimmarrëse. Kjo mund të realizohet duke krijuar mundësi përfshirje të të rinjve në organet vendimmarrëse, përfshirë qeverinë lokale dhe kombëtare.

Përfshirja e Të Rinjtë në Organe Vendimmarrëse

Një hap tjetër është përfshirja e të rinjve në listat për kandidat nga partitë politike. Për këtë qëllim, një mundësi është që në Kodin Zgjedhor të miratohet një ligj i posaçëm që do të inkurajonte përfshirjen e të rinjve në listat zgjedhore. Për shembull, mund të kërkohet që të paktën një nga çdo gjashtë kandidatë të jetë nën moshën 30 vjeç. Kjo do të krijonte mundësi më të barabarta për të rinjtë dhe do t’i ndihmonte ata të shihnin politikën si një mundësi të vlefshme për zhvillimin e karrierës së tyre.

Balancimi i Brezave dhe Përvoja e Të Më Të Vjetrëve

Në kulturën shqiptare, përvoja dhe dija e të më të vjetrëve vlerësohen shumë, pasi ata kanë përjetuar periudha të ndryshme të zhvillimit të Shqipërisë dhe kanë mësuar nga sfidat dhe arritjet e kohëve të ndryshme. Ata mund të shërbejnë si mentorë dhe këshilltarë për të rinjtë, duke ndarë me ta dijen dhe mendimet e tyre. Shqipëria ka një histori politike komplekse, dhe më të vjetrit janë lidhur ngushtë me ngjarjet dhe proceset e kësaj historie. Ata mund të sjellin një perspektivë afatgjatë që ndihmon në kuptimin e ngjarjeve të sotme dhe në marrjen e vendimeve të rëndësishme politike.

Një bashkëpunim i mirëfunksionues midis të rinjve dhe të vjetërve është çelësi për një sistem politik të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm. Të rinjtë sjellin frymë të re dhe ide inovative, ndërsa të më të vjetrit sjellin eksperiencën dhe maturinë. Një balancim i rregullt ndërmjet këtyre dy grupeve mund të sjellë përparim dhe zhvillim të qëndrueshëm për politikën shqiptare.

Ndryshimet e Nevojshme në Kodin Zgjedhor dhe Ligjin

Aktualisht, në sistemin politik të Shqipërisë, shihet një favorizim i politikanëve në moshë të madhe, të cilët perceptohen si të pazëvendësueshëm për zhvillimin e politikës në vend. Mirëpo, është koha që të ndërmerren hapa drejt ndryshimit. Për shembull, aktualisht në Shqipëri, kandidati për president duhet të jetë të paktën 40 vjeç, një kufizim shumë i lartë krahasuar me standardet europiane. Në shumë vende të Europës, si Danimarka, Norvegjia, Hollanda, Franca, Finlanda dhe Spanja, mosha minimale për të qenë president është 18 vjeç, ndërsa ky kufizim në Shqipëri e bën të vështirë përfshirjen e të rinjve.

Propozimi im është që të konsiderohet një moshë minimale prej 25 vjeç për kandidaturën presidenciale, që do t’i mundësonte të rinjve ta shihnin politikën si një mundësi të vlefshme dhe të mos ndiheshin të diskurajuar për shkak të kufizimeve të moshës. Gjithashtu, është e arsyeshme që detyrimi që presidenti të jetë i martuar të hiqet, pasi martesa nuk duhet të jetë një kriter vendimtar për këtë pozicion.

Përfundim

Si përfundim, sfidat politike, ekonomike dhe sociale që ballafaqon Shqipëria kërkojnë një ndryshim të thellë në mënyrën se si të rinjtë ndikojnë në jetën politike të vendit. Përmes edukatës politike, përfshirjes aktive në proceset vendimmarrëse dhe përdorimit të përvojës së më të vjetrëve si udhërrëfyes, mund të shkojmë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm politik. Ndryshimet ligjore, përfshirja e të rinjve në organet vendimmarrëse dhe ulja e kufizimeve moshore për poste kyçe si presidenti, do të ndihmonin në krijimin e një politike më gjithëpërfshirëse, më të fortë dhe më të qëndrueshme për të ardhmen.

Përkushtimi ndaj bashkëpunimit dhe balancimit midis brezave është rruga e duhur për të formuar një shoqëri më të përgjegjshme dhe politika më të qëndrueshme.