Mosbindje civile në kushtet e Shqipërisë: Dy shtyllat e çlirimit

Mosbindje civile në kushtet e Shqipërisë: Dy shtyllat e çlirimit

Pranvera Shehaj – “Laboratori i Ideve”, Departamenti Brain Gain, Partia Demokratike

Reflektim

Një shkrim që i drejtohet opinionit demokrat e shqiptar për strategjinë aktuale për çrrënjosjen e regjimit modern, si një mënyrë për t‘u përfshirë në një kohë të cilën e ardhmja e historisë do ta glorifikojë më shumë se vetëdija jonë për atë që po dëshmojmë. Kështu do ta prezantoja. Pse kjo nevojë? Sepse padurimi që nxit pamundësia për të qenë në rrugët e vendit tim, më zhyt në besimin se edhe sikur pak të mendoj, të them a modestisht e naivisht të udhëzoj, ndihmoj rrënjët e mia në këtë kohë fataliteti politik. Pata lexuar e dëgjuar për kohën e mynxyrës së diktaturës, por nuk e mendova ndonjëherë se vendi im do ma falte si të gjallë këtë dëshmi e do më vriste këtu ku jam me një pyetje të rëndë sa gurët e tij: “Si mund të më jesh pranë kur sot kam nevojë për ty?” Pyetje, e cila prej kohësh më peshon kaq shumë e çfarëdo të bëj, as fare pak nuk mjafton!

Qëndrueshmëri dhe Inovacion në strategji

Referuar mësimeve që burojnë nga disa prej rekomandime politike të dhëna në pjesën e parë, masiviteti i paqtë duket në besim të parë se është zgjidhja për suksesin e mosbindjes civile. Si fillim, nëse masiviteti realizohet, po, ka gjasa që presioni mbi autokratin të çojë në plotësimin e kërkesës politike. Megjithatë, siç thamë, masiviteti në autokraci nuk është garanci sepse përplasja mes njerëzve në rrugë dhe forcës së shtetit policor agresiv që në autokraci është gjithmonë dhe vetëm shproporcionale, nuk jep garancinë se të parët triumfojnë mbi të dytët. Së dyti, pas 12 viteve terror gradual mbi shqiptarët, opozita e zhveshur nga çdo pushtet, e ka të pamundur të garantojë paprekshmërinë e qytetarëve që do të mbushin rrugët në atë nivel masiviteti nga ndëshkimet që pasojnë tipikisht në regjime autoritare: ndëshkime në punë, ndërprerje të ndihmave ekonomike, kërcënime fizike, arrestime, penalitete financiare ndaj bizneseve private, e gjithfarë mynxyrash ndaj shqiptarëve, metoda që si dikur, i pjell nevoja për mbijetesë e pushtetit personal. Për rrjedhojë, masiviteti mundet, por nuk garanton domosdoshmërisht sukses, dhe më e rëndësishmja, rrallë arrihet ai në autokracitë e maskuara dhe të legjitimuara ndërkombëtarisht (disguised personalistic autocracy).

Alternativa përballë, e cila nuk është peng i masivitetit që mbytet nga fuqia e regjimit për të terrorizuar qytetarët me mekanizma antiligjorë diktatorialë, duhet të ngrihet mbi dy shtylla: Qëndrueshmëri dhe Inovacion në strategji. Ty dyja, shkencërisht dhe faktikisht, garantojnë aftësinë e lëvizjeve të protestës dhe mosbindjes civile për të tërhequr një masë më të gjerë dhe më heterogjene, si dhe zhvillimin e strategjive që lejojnë manovrimin nën represionin e regjimit.

Qëndrueshmëria e afron nga njëra anë mosbindjen civile më së shumti me rezistencën civile. Ajo është e vetmja strategji që përmbush qëllimin e saj duke mos dhënë shkas për reagim të shtetit policor. Qëndrueshmëria përdhehet në formë, pra të jemi të qëndrueshëm në formën që kemi zgjedhur për të protestuar, duke e aplikuar atë formë proteste pambarimisht dhe pa shkëputje, cilado qoftë forma që zgjedhim. Një simbolikë mund të ishte: 12 ditë rresht rezistencë për 12 vite regjim! Ky cikël ditësh nuk njeh normalitet dhe lajm tjetër veç mosbindjes civile. Së dyti, qëndrueshmëria përkthehet në kohëzgjatje të përshkallëzuar dhe në këtë rast ajo do të prekë deri kufirin e grevës. Qëndroj në mosbindje përtej dakordësisë së negociuar me regjimin.

Shtylla e dytë, inovacioni në strategji konsiston në rëndësinë që ka risia e përdorur në taktikat e mosbindjes civile, ajo që ndër studime është quajtur “modeli elektoral”, pra përdorimi nga ana e opozitës i strategjive të sofistikuara, të planifikuara në mënyrë të ndërlikuar dhe më e rëndësishmja për t‘u arrirë, pa precedentë në historinë e revoltës së vendit. Inovacioni në strategji do të krijonte një efekt shpërqendrues, pavendosmëri të forcave policore për mënyrën dhe intensitetin e reagimit dhe kaos që buron nga fakti se taktika nuk është provuar më parë e për rrjedhojë nuk i dihet përfundimi. Strategjitë inovative nuk kërkojnë numër, mjaftohen me shumëllojshmëri, intensitet deri sa krijohet një zinxhir formash të mosbindjes që përndjekin njëra tjetrën. Nëse qëndrueshmëria kërkon rezistencë në kohë të të njëjtit grupim demokratësh e shqiptarësh në mosbindje civile, inovacioni në strategji lejon shkëmbimin dhe alternimin mes tyre, shmang konsumimin e lëvizjes, nxit interes dhe padurim për formën e radhës, çka rrjedhimisht çon në qëndrueshmëri të mosbindjes civile në kohë.

Qëndrueshmëria dhe inovacioni në strategji dhe formë të mosbindjes civile mund ta zëvendësojnë në qëllim dhe sukses edhe masivitetin, edhe pse në fakt, ndërkohë që kudo në realitete në prag fataliteti si Shqipëria është i pamundur, sërish në pika kulmore politike, masivisht shqiptarët në çdo thirrje të opozitës kurrë nuk kanë munguar. Ndoshta, qëndrueshmëria dhe risia në strategji janë pikat e çlirimit që do ta adresonin në përmbushje përfundimtare masivitetin.

Dy fjalë të fundit i kursej për artikulimin e një shpjegimi të nevojshëm lidhur me testin provokues që parashtrohet vazhdimisht ndaj mosbindjes civile të demokratëve, test që e hedhin si kockë gjithfarë nëpunësish në profesion a në rol: a e ka PD aftësinë për të eskaluar dhunë? Së pari, PD udhëhiqet nga pacifizmi, qoftë si reflektim ideologjik, qoftë për histori të saj. Ka qenë vetëm vota ajo që ka legjitimuar ardhjen e saj në krye të vendit. Së dyti, kushdo me sado pak pretendim se e njeh politikën, do të duhej ta dinte se rrëzimi i një regjimi me dhunë dhe përgjakje rrezikon thuajse përherë instalimin e një regjimi pasardhës të njëjtë, autoritar dhe pa asnjë lidhje me demokracinë. Së treti, PD nuk ka për qëllim marrjen e pushtetit me dhunë, ndaj retorikë e tillë provokative mbetet e neveritshme në antishqiptarizmin e saj, e udhëhequr nga kujtimet e diktaturës së vëllavrasjes.