Gjuha që duhet ruajtur

Gjuha që duhet ruajtur

Nga Astrit Hykaj/

Në përsiatjet e mundimshme për t’iu përgjigjur pyetjes se ç’është kombi, një përcaktor mjaft domethënës, ndonëse jo i vetmi, është gjuha amtare. Veçoria tjetër dalluese është flamuri, veçanërisht në rastin e kombit tonë, por flamuri vjen më vonë se gjuha.

Gjuha është e qenësishme që në zanafillën e kombit. Për ne, gjuha amtare përbën gjurmën më të rëndësishme dalluese, përmes së cilës është formësuar vetëdija jonë e përbashkët kombëtare. Një vështrim më nga afër na bën të kuptojmë se gjuha është mbartëse e kulturës dhe trashëgimisë shpirtërore, përrallave e gojëdhënave, të cilat janë përcjellë dorë më dorë, nga një brez në tjetrin.

Gjithashtu, përmes gjuhës pasqyrohet qartë edhe botëkuptimi i posaçëm që ka një komb. Gjuha e përbashkët lehtëson bashkëbisedimin dhe ndërveprimin mes njerëzve. Njeriu e ka të pamundur të shprehet më lirshëm në një gjuhë të huaj sesa në gjuhën e vet amtare. Historia na mëson se gjuha ka qenë një ndër arsyetimet kryesore, mbi të cilat është formuar një komb. Mësuesit e gjuhës shqipe, në dijeninë time më të mirë, si në asnjë rast tjetër në botë, janë vrarë e helmuar vetëm për shkak se u mësonin fëmijëve gjuhën shqipe.

Natyrshëm lind pyetja: Çfarë po bëjmë ne me këtë përcaktor kaq të rëndësishëm të mëvetësisë sonë kombëtare? Aq më tepër kur gjuha jonë lakohet nëpër qendra të rëndësishme të shkencës së gjuhësisë, gjer në Harvard?

Nëse zbret në Rinas dhe, me pahir, ngre kokën lart, të zë syri emrin e këtij aeroporti, shkruar me shkronja të mëdha: MOTHER TERESA INTERNATIONAL AIRPORT. Është shkruar edhe në gjuhën shqipe, por syri yt duhet të rrëmojë thellë gjersa të ndalet diku në një qoshe. Po kaq të vogla janë shkronjat në gjuhën shqipe, saqë të japin përshtypjen sikur përdorimi i gjuhës amtare në vendin tënd është mëkat, ose, nëse e përdor, ke bërë një faj dhe do të ndëshkohesh.

Po, le ta lëmë aeroportin dhe të vijmë në kryeqytet. Sa herë shoh emra të tillë si “Mulliri i Vjetër” apo diçka të ngjashme, këndellem dhe ndjej se jam në vendin e trashëguar nga etërit tanë. Por, emërtimet e tilla janë tepër të rralla. Kudo mbizotëron gjuha e huaj. Thuajse çdo bujtinë, gjelltore, shitore apo pijetore është damkosur me emërtime në gjuhë të huaj, ku shpeshherë as ata që i kanë zgjedhur nuk e dinë kuptimin e tyre.

Kryeqyteti ynë duket sikur është ndërtuar me duart tona, veçmas për të huajt. Sikur thotë: “Ja ku jam, tani vetëm hyni se jam gati.” Por hallet e gjuhës shqipe nuk mbarojnë me kaq. Më vijnë ndër mend gazetarët, në radio, në gazeta, në televizor e gjetkë, të cilët flasin e shkruajnë lloj-lloj fjalësh të huaja, shpeshherë të pavetëdijshëm për ndikimin që ato kanë te të tjerët. Pastaj vjen letërsia e shkruar dhe e përkthyer, që duhej të ishte tempulli i gjuhës.

Mirëpo, në ditët e sotme, edhe vetë shkrimtarët nuk e zotërojnë dot gjuhën ashtu si duhet. Dhe që ta kuptosh mirë zhbërjen e frikshme të gjuhës, mjafton t’u hedhësh një sy përkthimeve letrare të tre-katër viteve të fundit dhe t’i krahasosh me ato të fillimit të këtij mijëvjeçari. Dhe, së fundmi, nga renditja por jo nga rëndësia: libri shkollor! Ne kemi hequr dorë nga hartimi i librit shkollor. Ai përkthehet kryesisht nga anglishtja. Në të vërtetë, gjysmë përkthehet, dhe sot një nxënës e ka të pamundur t’i përgjigjet një pyetjeje, jo se nuk e di përgjigjen, por sepse nuk e kupton pyetjen që në krye të herës.

Me një fjalë, ja ku jemi: te gozhda e Nastradinit. Ai vjen sa herë t’i dojë qejfi dhe var setrën në gozhdën e vet, në mes të shtëpisë sonë. Sepse vetëm gozhdën ka kërkuar ai, dhe ne, si “të mençur”, ia kemi dhënë me të dyja duart. Ndaj, çështja më e rëndësishme që shtrohet sot është: si ta heqim atë gozhdë? Mirëpo ne nuk i kemi dhënë atij vetëm një gozhdë. Këtu s’ka ngelur gozhdë pa u ngulur: anglisht, turqisht, sllavisht, latinisht, dhe gjithë “isht”-et e tjera…

Ky shqetësim, që deri më tani është ngritur nga fare pak njerëz, ka rënë në vesh të shurdhër. Sidoqoftë, është gjuha shqipe ajo që, para së gjithash, duhet të nderohet si pasqyrim i vlerësimit që kemi për veten. Atëherë lind pyetja: çfarë duhet të bëjmë? Ne mund ta fillojmë punën me disa masa fillestare, por të rëndësishme. Dhe konkretisht:

1- Të rrisim ndjenjën e përgjegjësisë lidhur me përdorimin e gjuhës së folur dhe të shkruar. Përmes një letre mund t’i njoftojmë të gjitha shtëpitë botuese në vend lidhur me disa kërkesa minimale që duhet të plotësojnë për marrjen e numrit ISBN. Ato mund të parashtrohen në formë pyetjesh, të tilla si: Cilat janë, sipas jush, arsyet e botimit të këtij libri? Çfarë përfiton shoqëria jonë përmes këtij botimi? Sa është vlera e shtuar e këtij botimi në fushën përkatëse, përpos botimeve të deritanishme?

2-    Më pas, ne mund t’u kërkojmë një pjesë të vogël të përkthimit për të vlerësuar nivelin e përdorimit të gjuhës. Dhe pastaj, kur të dyja palët të jenë të kënaqura, të lëshohet numri ISBN.

3-    Sa i përket librit shkollor, ne mund dhe duhet t’i kushtojmë vëmendje të posaçme nivelit gjuhësor. Ky lloj libri e ka të domosdoshme përkthimin cilësor dhe, madje, përshtatjen e disa gjërave në gjuhën shqipe.

4-    Ne mund ta kthejmë, të paktën radion dhe televizionin që paguhet nga taksat e qytetarëve, në një shembull që duhet ndjekur sa i përket gjuhës së folur. Kjo mund të arrihet përmes pranisë së gjuhëtarëve dhe redaktorëve të mirëfilltë për të përgatitur lajmet, si dhe përmes programeve të reja televizive me drejtim dhe përmbajtje gjuhësore.

5-    Hartimi i fjalorit të gjuhës shqipe s’ka asnjë arsye për të qenë e drejtë e posaçme vetëm e një institucioni shtetëror. Ne mund të ndërmarrim nisma që nxisin universitetet, posaçërisht fakultetin e gjuhë-letërsisë, që të hartojnë vetë fjalorë të shqipes së kulluar, pa huazime fjalësh nga gjuhë të tjera. Hartimi i fjalorëve të gjuhës nga universitetet është një praktikë mjaft e njohur edhe në vendet perëndimore.

6-    Zhvillimi i fushatave ndërgjegjësuese për përdorimin e gjuhës shqipe të pastër, nëpërmjet rrjeteve sociale, televizioneve, dhe veprimtarive nëpër shkollolla. Kjo mund të ndihmojë në edukimin e brezave të rinj mbi rëndësinë e përdorimit të gjuhës amtare dhe ruajtjen e saj etj.

Këto janë disa nga masat fillestare që ne mund të ndërmarrim për të ruajtur dhe forcuar gjuhën tonë amtare, pa rënduar xhepin e taksapaguesve shqiptarë. Gjuha shqipe është pasuria jonë kombëtare, që përmban identitetin dhe trashëgiminë tonë kulturore. Përmes një përpjekjeje të përbashkët dhe të vazhdueshme, mund ta mbrojmë atë nga ndikimet e huaja dhe ta ruajmë për brezat e ardhshëm si një simbol të krenarisë dhe përkatësisë sonë kombëtare.