Brain Gain në PD, tashmë ka dritaren e saj, website-in zyrtar
*Argita Gjymishka, Koordinatore e grupit Spin Dixhital të Departamentit Brain Gain.
Website-i zyrtar i Departamentit Brain Gain: Platforma jonë për Ide, Inovacion dhe Bashkëpunim
Pas një pune të gjatë intensive dhe të përkushtuar , ju prezantojmë me ëebsite-in zyrtar të Departamentit Brain Gain, www.braingain.pd.al. Ky website është shumë më tepër se një hapësirë online; është një pasqyrim i punës sonë dy vjeçare, e cila ka qenë e fokusuar në zhvillimin e projekteve të qëndrueshme, analizave të thelluara dhe aktiviteteve që lidhin politikën me qytetarët. Kjo platformë është krijuar për të ndarë me publikun idetë, vizionin dhe punën e realizuar deri tani, duke shërbyer njëkohësisht si një pikë takimi për bashkëpunim dhe shkëmbim mendimesh.
1. Një hapësirë për mendimin dhe debatin: Artikujt nga “Laboratori i Ideve”
Që nga themelimi, kemi punuar për të prodhuar artikuj dhe përgatitur analiza mbi çështje kryesore si politika, ekonomia, ndërtimi i institucioneve të forta, kultura, etj. Këto analiza dhe artikuj të publikuar në kuadër të “Laboratori i Ideve” nuk janë thjesht mendime të shkruara; ato janë propozime dhe ide konkrete që synojnë të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë.
2. Projekte dhe iniciativa që ndërtojnë ura mes politikës dhe shoqërisë
Kjo platformë përfaqëson edhe pasqyrimin e projekteve tona më të rëndësishme dhe innovative, ku disa prej tyre përfshijnë:
* Selia e PD Përtej Politikës, një projekt që synon të shërbejë si një bashkësi vlerash, si një mjet për të kujtuar ngjarje të rëndësishme historike, kulturore dhe artistike, të cilat kërkojnë të kontribuojnë në kausat shoqërore, duke u bërë një hapësirë për të gjithë demokratët dhe qytetarët shqiptarë.
* Podcast-i “Zërat”, ku sjellim perspektiva të reja mbi tema të rëndësishme lidhur me realitetin politik shqiptar. Ky podcast është një hapësirë për dialog dhe diskutim të hapur, i cili sjell zëra të rinj dhe ide të freskëta, duke nxitur dialogun dhe reflektimin mbi çështjet aktuale.
* Akademia Brain Gain, një iniciativë edukative me qëllimin e qartë të identifikimit dhe adresimit të nevojave të trajnimit që kanë anëtarët e saj, e cila kombinon trajnime të ndryshme politike dhe praktike në disiplina të ndryshme.
3. Publikimet: Një trashëgimi e vazhdueshme
Pjesë e rëndësishme e punës sonë janë botimet, të cilat pasqyrojnë vizionin dhe përpjekjet tona për të sjellë ndryshime. Në ëebsite mund të gjeni publikime si:
* “Libri i Punëve të Mira”, një përmbledhje e arritjeve më të mëdha të Partisë Demokratike që kanë pasur ndikim pozitiv në shoqëri.
* “Në kërkim të simboleve”, një kujtesë se simbolika ka fuqinë të frymëzojë njerëzit për të vepruar, për të kujtuar dhe për të përqafuar vlerat që bashkojnë një shoqëri të ndarë nga politika dhe historia.
* “Për Shekullin Shqiptar”, një vizion për të ardhmen e Shqipërisë në kuadër të propozimeve për programin elektoral 2025 të Partisë Demokratike.
* “Ata thyhen: Ballë për ballë me propagandën”, një botim që analizon dhe sfidon narrativat e propagandës, si një përballje e mendimit me kaosin hipnotik të qeverisë aktuale.
Një pasqyrim i punës dhe rrugëtimit tonë
Website-i ynë nuk është thjesht një arkivë; është një dëshmi e punës, përkushtimit dhe bashkëpunimit. Çdo faqe, çdo artikull dhe çdo publikim është rezultat i një angazhimi të thellë për të sjellë ndryshim. Kjo platformë përfaqëson jo vetëm atë që kemi bërë deri tani, por edhe atë që duam të bëjmë në të ardhmen. Për të gjithë ata që janë të interesuar të kuptojnë më shumë rreth historisë dhe rolit të Departamentit Brain Gain, kemi përgatitur një seksion të “Pyetjeve të shpeshta”, ku tregojmë qartë mënyrën e funksionimit dhe metodës së punës të departamentit.
Për JU dhe me JU
Ne e kemi krijuar këtë platformë për ju. Ajo është një ftesë për të qenë pjesë e projekteve tona, për të ndarë idetë tuaja dhe për të kontribuar në vizionin tonë të përbashkët për një Shqipëri më të fortë.
Vizitoni www.braingain.pd.al dhe bëhuni pjesë e udhëtimit tonë drejt së ardhmes! Së bashku, mund të arrijmë më shumë.