Sisteme gjyqësore, Kushtetutë dhe ligje : Radarët dhe dashnorët e Venedikut – Një komision parlamentar dhe draft ligjor i ri
Nga Blerim Vakaj
Arrestimet e fundit dhe dalja e disa përgjimeve nga jeta kriminale (jo private) e dy “dashnorëve të Verem’ikut” nxjerr zbuluar jo vetëm qeverinë, por edhe opinionin publik e profesionistët e lajmit.
Pikë së pari, le të saktësojmë se fikja e radarëve nuk është kompetencë e SHISH-it, e drejtoreshës së tij apo e ndonjë institucioni të vetëm. Presidenti, si Kryetar i Forcave të Armatosura në kohë lufe, ka teorikisht tagrin për të kontrolluar gjithë radarët. Në kohë të zakonshme këtë e bëjnë Kryeministri dhe ministri mbrojtjes (as i brendshmi jo), por edhe ata nuk mund ta bëjnë për ndonjë romancë kriminale e as për të gjithë kontejnerët e botës me drogë. Sepse, de juro dhe de facto, do ta implikonin veten hapur me një akt kriminal, akt që le gjurmë.
Gjithashtu, Shqipëria ka marrëveshje me partnerët tanë fqinjë dhe NATO-n, të cilët kanë pjesën e vet të informacionit për atë që ndodh. Guardia di Finanza ka trupa dhe ndërlidhës ushtarakë/oficerë në Shqipëri (pranë Nucleo Operativo ose Misionit Detar) që marrin dhe shkëmbejnë të dhëna në kohë reale me policinë shqiptare. Gjithashtu, avionët dhe anijet e tyre patrulluese kanë sensorët e tyre. SHISH-i nuk ka asnjë kompetencë vendimmarrëse ekzekutive, por vetëm survejimi, marrjeje dhe grumbullimi informacionesh. Mirëpo, nëse kjo punë që bën i ka dhënë mundësi të marrë informacione me të cilat të shantazhojë “fikësit e radarëve” e t’i kërcënojë ata, ashtu siç bëri me gazetaren, kjo është një problem tjetër i madh më vete.
Pikë së dyti, përtej aspektit teknik dhe ligjor të radarëve, shqetësimi im i madh është gjuha e përdorur prej “dashnorëve të Venedikut” dhe droja se kjo gjuhë spiunësh mund të fshehë krime e “fikje” edhe më të mëdha se kjo. Meqenëse ajo nuk e kishte tagrin për ta bërë. Po kuptojmë çdo ditë se siguria kombëtare nuk ka qenë kurrë në këtë pikë kaq të dobtë. Për rrjedhojë, gjithçka mund të pritet nga loja e narkosve dhe e agjenturave shumëpalëshe, ku gjithçka blihet e shitet 𝐬𝐡𝐮𝐦𝐞̈ 𝐥𝐞𝐡𝐭𝐞̈𝐬𝐢𝐬𝐡𝐭 me paratë e drogës, të call center-ave dhe të punëve të tjera të pista, si 𝐝𝐡𝐞 𝐥𝐞𝐡𝐭𝐞̈𝐬𝐢𝐬𝐡𝐭 me paratë e buxhetit të shtetit. Këto tregti duket qartë se kalojnë edhe nga hunda e drejtorive të ndryshme të sigurisë së vendit.
Pikë së treti, shantazhi i drejtoreshës ndaj një gazetareje për raportet e veta nëpër hotele është alarmant, sepse na bën të kuptojmë që ne nuk jemi vetëm të drejtuar nga pushteti ekzekutiv e ligjvënës, por edhe të manipuluar e të ekspozuar ndaj rreziqeve të pafundme të pushtetit mediatik. Gjithashtu për këto kanë informacione dhe institucionet dhe nuk veprojnë. Ne e dinim këtë, por pas publikimit të të dhënave dhe rrogave nga hakerat e pas ngjarjeve të kohëve të fundit, po sigurohemi më mirë për rrezikun e vazhdueshëm që i kanoset interesit publik dhe atij kombëtar nga simbioza qeverisje dhe media. Aferat politike, të biznesit, spiunazhit, drogës dhe paligjshmërisë janë bërë nyjë me aferat seksuale. Me sa duket, kjo bëhet jo vetëm për të fuqizuar besën e kërkuar nga kryeministri, por edhe si mënyrë shantazhi e grumbullimi informacioni.
Në këto kushte, opozita duhet të kërkojë menjëherë ngritjen e një komisioni parlamentar për rastin dhe atë të Ballukut meqenëse nënzë flitet për të tilla afera të miksuara me ngritje në detyrë, firma, tendera dhe kjo të bëhet vetëm për ti dhënë suportin e duhur drejtësisë përballë institucioneve tjera kriminale dhe atyre që mund të i shantazhojë prokurorët apo hetuesit me detaje nga jeta e tyre personale. Gjithashtu si Parti e djathtë dhe me shumë të rinjë brenda saj që çmojnë edhe konservatorizmin dhe transparencën morale, duhet të ngrejë dhe një grup për fillimin e menjëhershëm të punës për përgatitjen e një drafti ligjor për tu kaluar në parlament për aferat të të gjithë drejtuesve të mesëm e të lartë në të tria pushtetet, e deri te ata në media, duke qenë se media është shndërruar në një nga pushtetet më të rëndësishme, ku kryqëzohen kurthet, shantazhet dhe nxitja e opinionit publik. Jo për interes të jetës së tyre private, por për asnjë shans ose mundësi shantazhi me biseda apo marrëdhenie private. Duke qenë që jemi krejtë të informuar që shumë drejtues mbahen peng dhe shantazhohen me pjesë nga jeta e tyre, homoseksuale, heteroseksuale dhe larg qoftë edhe më keq. Kjo thirrje për nisma ligjore është një emergjencë kombëtare dhe njerëzore. Një hap i tillë do ta nxirrte opozitën shqiptare të pastër, me autoritet moral dhe me përgjegjësinë publike e ligjore për të ushtruar qeverisjen në mënyrë dinjitoze në të ardhmen.