Familja, bërthama e shoqërisë, sot një OMGJ: Propozime për rikthimin e saj në vëmendje

Familja, bërthama e shoqërisë, sot një OMGJ: Propozime për rikthimin e saj në vëmendje

Argita Gjymishka Anëtare e Departamentit Brain Gain, Partia Demokratike

Prej vitesh tashmë, familja shqiptare është kthyer në një OMGJ. Jo në një organizëm të modifikuar gjenetikisht (edhe pse nuk jemi shumë larg kësaj), por në një Organizim të Masakruar Gjakftohtësish, për shkak të politikave qeverisëse keqdashëse në vend. Zgjedhja e të rinjve për të krijuar familje të vogla, në rastin më të keq larg Shqipërisë, për shkak të pamundësive ekonomike dhe shpenzimeve të shumta për rritjen e një fëmije, kanë bërë që kjo mënyrë bazë e organizimit të shoqërisë të humbasë kuptimin e saj gjithnjë e më shumë. Ky fenomen është amplifikuar në mënyrë të vazhdueshme në 12 vitet e fundit, duke iu shtuar atij të shpopulllimit. Edhe pse tanimë ky duket një skenar krejt normal për Shqipërinë, vlen të theksohet se ulja e lindshmërisë efektin direkt e ka në plakjen e popullsisë, duke sjellë si pasojë kolapsin e sistemit të pensioneve.
Në të tilla raste, kur kambanat e alarmit bien, vjen e menjëhershme nevoja për marrjen e masave për rikthimin e familjes në qendër të vëmendjes si bërthamë e shoqërisë. Prandaj nxitja e çifteve të reja, dhe në veçanti e nënave, për lindjen e sa më shumë fëmijëve kthehet në nevojë emergjente. Një qeveri përkrahëse e familjes shqiptare si themel i shoqërisë, kombit dhe trashëgimisë së tij, këtë shok disa vjeçar të braktisjes së familjes nga institucioni i shtetit dhe mekanizmat e tij, do të mund ta zhbënte përmes disa formave.
Si propozime primare vijnë:
● Të paguarit e lejes së lindjes prej një viti, me 100% të pagës në gjashtë muajt e parë dhe 80% të pagës në gjashtë muajt e dytë, duke e bazuar përllogaritjen vetëm në vitin e fundit të pages,
Nga 80% për gjashtë muajt e parë dhe 50% për gjashtë muajt e dytë që është sot.
● Dhënia e lejes së lindjes me zgjedhje (pra jo e detyrueshme) prej 3 muajsh për babain, e cila do të paguhet me 100% të pagës.
Babai ka mundësi të zgjedhë nëse do të qëndrojë në shtëpi pas lindjes së fëmijës.
● Përjashtim i përjetshëm nga tatimi mbi të ardhurat personale për gratë që kanë rritur të paktën katër fëmijë.
Gratë që kanë lindur të paktën katër fëmijë të përfitojnë përjashtim të përjetshëm nga detyrimi i tatimit mbi të ardhurat personale për të ardhurat që rrjedhin nga puna.
● Mundësi për shtëpi përmes një nga tre politikat:
1. grant për blerjen e një shtëpie me një vlerë të kufizuar;
2. kredi hipotekore me interes shumë të ulët;
3. zbritje e kredive hipotekore të marra në rast të lindjes së një fëmije të tretë, etj.
Të trija alternativat synojnë lehtësimin e blerjes së një shtëpie për çiftet e reja ose familjet me shumë fëmijë.
Nëpërmjet këtyre propozimeve synohet përmirësimi i mirëqenies dhe mbështetjes financiare për familjet, duke krijuar kushte më të favorshme për rritjen dhe zhvillimin e tyre ekonomik – dhe social. Nxitja e stabilitetit dhe sigurimi i një mjedisi më të qëndrueshëm dhe të mbështetur për familjet, veçanërisht për prindërit dhe fëmijët, duke fuqizuar kështu strukturën familjare dhe përmirësuar cilësinë e jetës, me shpresë do të arrijë që në censusin e ardhshëm të reflektojë shifra më shpresëdhënëse për Shqipërinë. Dhe në një shtet (qelizë) ku familja (bërthama) funksionon si duhet, padyshim që mundësohet edhe zhvillimi (rritja e mëtejshme).