Decentralizimi i tradhtuar: nga bashkitë tek pashallëku modern
Nga Alessandro Xhufi
Reforma territoriale e vitit 2015 nuk ishte një reformë administrative, por një akt politik që formalizoi centralizimin e pushtetit vendor.
Reforma u prezantua nga mazhoranca socialiste si një përpjekje për të modernizuar administratën vendore dhe për të rritur efikasitetin e bashkive. Megjithatë, ajo që u arrit nuk ishte gjë tjetër veçse një centralizim i hapur i pushtetit, me qëllimin e vetëm për t’i transformuar bashkitë në struktura që funksionojnë si kompani private në pronësi të pak individëve, duke përfituar në kurriz të qytetarëve.
Sot, në Shqipëri, bashkia dhe kryetari i bashkisë nuk ekzistojnë si institucione në shërbim të qytetarit; përkundrazi, duket sikur është vetë qytetari ai që vihet në shërbim të këtyre “pashallarëve” modernë.
Objektivi i vërtetë i pushtetit vendor duhet të ishte ndërtimi i një politike efikase, që u përgjigjet me fakte dhe veprime shqetësimeve të përditshme të qytetarëve. Në një farë mënyre, reforma socialiste “ka funksionuar”: qytetarët ankohen më pak, por jo sepse problemet janë zgjidhur, por sepse shqiptarët janë larguar, duke braktisur shtëpitë e tyre.
Fshatra të tëra po zbrazen, qytetet po zvogëlohen, ndërsa spitalet, shkollat dhe institucionet publike në të gjithë Shqipërinë po mbyllen. Sigurisht, ky është një sukses për xhepat e socialistëve, por një plagë shpirtërore për shqiptarët.
Megjithatë, bashkia nuk ka vetëm një funksion administrativ, por edhe një rol simbolik. Çdo qytet apo krahinë ka historinë e vet, ka emra, ka fytyra, ka tradita, ka rite, ka një shpirt që materializmi i socialistëve nuk mund ta kuptojë.
Është e qartë se çdo fshat, çdo qytet dhe e gjithë Shqipëria rrezikon të shndërrohet thjesht në një strukturë për larjen e parave të pista, nëse administrohet nga njerëz që nuk kanë rrënjë, nuk kanë histori dhe nuk kanë lidhje shpirtërore me vendin, fshatin apo kombin e tyre.
Ëndrra e çdo shqiptari dhe e Partisë Demokratike është të shohë përsëri shkollat të hapen në fshatra, fëmijët të luajnë futboll në rrugët tona, duke u ruajtur nga makinat që kalojnë, vajzat të mbledhin lule në fushat e bukura të nënës sonë, Shqipërisë, të shohë të moshuarit në lokalin e fshatit duke luajtur letra apo domino, dhe çiftet e reja të martohen e të krijojnë familje në të njëjtat shtëpi ku dikur kanë jetuar edhe të parët e tyre.
Atëherë, cila mund të jetë zgjidhja e propozuar nga Partia Demokratike?
Ne kemi nevojë për një decentralizim real dhe për një autonomi të vërtetë vendore. Është e domosdoshme të rritet numri i bashkive dhe të rikthehet shteti aty ku prej 11 vitesh nuk shihet dhe nuk ndihet më nga qytetarët.
Po aq e rëndësishme është krijimi i një autonomie të mirëfilltë fiskale, sepse është e papranueshme që në një vend që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, fondet e çdo bashkie të varen kaq shumë nga pushteti qendror. Nuk mund të pranohet që, nëse një kryetar bashkie është në kundërshtim me kryeministrin, ai të mbetet pa fondet e nevojshme për të administruar qytetin e tij. Një funksionim i tillë nuk i përket një vendi evropian, por i ngjan më shumë një vendi të botës së tretë.
Autonomia vendore, megjithatë, nuk ka të bëjë vetëm me ekonominë dhe menaxhimin e financave, por edhe me aftësinë e kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë për të marrë vendime. Duhet të aplikohen dhe të vendosen mekanizma që kufizojnë pushtetin qendror në procesin vendimmarrës të entiteteve vendore. Me një autonomi më të madhe vendimmarrëse dhe ekonomike, bashkitë do të jenë më të afta të merren me çështjet dhe problemet e qytetarëve dhe, njëkohësisht, të rrisin përgjegjësinë e tyre përpara qytetarëve. Rritja e pushtetit vendimmarrës dhe e përgjegjësisë është e vetmja mënyrë që mund t’i rikthejë institucionet vendore si institucione në shërbim të qytetarëve dhe jo si zgjatim i pushtetit qendror.
Reforma territoriale është një nga masat kryesore të ndërmarra nga regjimi i Edi Ramës, e cila ka kontribuar në largimin masiv të shqiptarëve nga vendi. Kjo reformë nuk duhet thjesht të rishikohet, por duhet të zhbëhet, dhe Partia Demokratike duhet të marrë rolin e aktorit kryesor në këtë proces.