Himara, monstra e pushtetit dhe dinjiteti njerëzor: Fabul satirike fund e krye’

Himara, monstra e pushtetit dhe dinjiteti njerëzor: Fabul satirike fund e krye’

Sofokli Çakalli Anëtar i Departamentit BrainGain

Si rrallë zona e krahina të Shqipërisë, nëse ka një të përbashkët që njëson mendimin e lukunisë nacionaliste me të arsyeshmit, është fakti se Himara është neglizhuar e nënvlerësuar në çështjen e saj, qoftë edhe pa patur mirëfilltazi një të tillë. Nuk dëshiroj t’i neglizhoj edhe unë mendimet kësaj here. Mundem ta përshkruaj dhe të analizoj me gjakftohtësi tragjikomedinë e saj të më shumë se një viti tashmë, vetëm përmes një fabule satirike, e thjeshtë, e kuptueshme si nga revolta ime, ashtu edhe nga lexuesi.

Imagjino sikur një ditë, qeveria, pasi fiton zgjedhjet, fillon propagandën që në vendin tonë duhet të shitet vetëm banane dhe asnjë frut tjetër. “Banania ka më shumë vitamina se të gjithë frutat e tjerë, është e verdhë por edhe jeshile, ndihmon ekonominë, vjen me kontejnerë nga Amerika Latine, bashkë me disa gjëra të tjera, etj.” – vazhdon propaganda.
Të kapur në befasi nga kjo fushatë me shumë ngjyra, drita dhe dajre, patjetër që të gjithë fillojmë të hamë banane. Pas një farë kohe duke ngrënë vetëm banane, qeveria vendos që supermarketi i frutave të hapet vetëm një herë në katër vite. Domethënë, mund të blesh banane, por do të mund ta blesh vetëm një herë në katër vite. Dhe gjatë atyre katër viteve, deri sa të hapet supermarketi përsëri, do të limitohesh vetëm në konsumin e bananes që ke blerë më parë. Kalojnë katër vitet e para dhe vjen dita e shumëpritur që të hapet supermarketi përsëri.
Të ka vajtur në majë të hundës, duke ngrënë banane përditë nga të gjitha anët për katër vite. Tani e ke ndarë mendjen, ke vendosur të ndërrosh shije e të blesh pjeshkë! “Dua pjeshkë – i thua vetes – nuk dua më banane! “Rrugës për tek supermarketi që mezi e ke pritur të hapet, ndesh një mori tipash anti-pjeshkë (banana-qejflinj ose ndryshe patronazhistë), të cilët në fillim të thonë: “Shiko, merre këtë kuponin nga ne dhe ik merr 10 kg banane falas. Ç’e do pjeshkën ti? Pjeshka është e shtrenjtë, vazhdo ha bananen se e ke falas me kuponin tonë.”
Shumë tundohen nga kuponi, por ka akoma më shumë që nuk tundohen dhe duan pjeshkë! Kur afrohesh më afër supermarketit dhe nuk ke pranuar kuponin, fillojnë mesazhet e tipit: “Shiko kujdes, banania të mban me bukë, banania të ka dhënë punën; po nuk zgjodhe prapë bananen, do limitohesh tek kastraveci për konsum” e kështu me radhë. Por ti prapë nuk tundohesh: “Më mirë ndërroj shije e konsumoj kastravecin sesa të mbetem tek banania përsëri.”
Më në fund ia del të hysh në supermarket dhe kërkon me vrull sektorin ku janë pjeshkët. Frutat e tjera ndërkohë janë zhdukur me kohë nga tregu. Sheh pjeshkët, shumë të çuditshme duken, por s’ke kohë të zgjedhësh. I merr me nxitim, paguan dhe del. Kur hap çantën në shtëpi, ç’të shohësh! Pjeshkët që ke marrë janë në fakt banane të kamufluara si pjeshkë. Zhgënjim i madh! Qeveria ta hodhi prapë! Ngelesh prapë duke ngrënë banane edhe për katër vite të tjera.

Gjatë kësaj kohe ka rënë një pesimizëm i madh në popull. Të lodhur nga banania, shumë njerëz largohen nga vendi në kërkim të frutave të tjera; disa ia hedhin fajin pjeshkëve, sepse nuk rriten në sezonin e bananes, e disa të tjerë as nuk shkojnë më fare në supermarket. Më pas ndodh mrekullia. Pas 11 vitesh nga dita që ke filluar të konsumosh bananen e parë, vjen lajmi i madh nga Himara se do të hapet një minimarket ku, përveç bananes, do të ketë edhe pjeshkë. Lajmi merr dhenë! Gjithë bregu zbret në Himarë. Tërbaçi, Kuçi, Vranishti, Piluri, Qeparoi, Nivica, Borshi dhe të gjitha fshatrat në rresht për të hyrë në minimarket. Kësaj here me të vërtetë ka pjeshkë. Pas një rrëmuje të madhe në minimarket, del bilanci: rreth 3 mijë e kusur njerëz kanë blerë pjeshkë dhe diku tek 18 veta më pak zgjodhën të hanin banane përsëri.

E pabesueshme! E papranueshme! Qeverinë e zë ankthi nga frika se, nëse populli provon shijen e pjeshkëve apo shijen e ndonjë fruti tjetër, nuk do ta pranojë më bananen. Si t’ia bëjnë?! Nuk mund të lejojnë largimin nga banania. Vendosin që duhen sekuestruar të gjitha pjeshkët. Por si do të sekuestrohen pjeshkët?
Kjo ishte e padëgjuar edhe për vetë bëmat e Qeverisë. Duhej një justifikim. “Ah, po – e gjetën më në fund – do të sekuestrohen krejt pjeshkët, sepse janë pjeshkë greke! Si do të hamë pjeshkë greke? Ne prodhojmë pjeshkët tona.” Me premtimin që minimarketi do të hapej sërish me pjeshkë bregu, të gjitha pjeshkët e shpallura greke u sekuestruan. Pas 15 muajsh, në një ditë të nxehtë gushti, Qeveria vendos të mbajë premtimin dhe të hapë minimarketin në Himarë, duke lajmëruar se tani, përveç bananes, do të shitet edhe Pjeshkë Bregu e Vendit!

Lajmi mori dhenë përsëri. Gjithë bregu zbriti në Himarë. Tërbaçi, Kuçi, Vranishti, Piluri, Qeparoi, Nivica, Borshi, Shën Vasili dhe të gjitha fshatrat në rresht për të hyrë në minimarket për pjeshkën e vendit. Por kësaj radhe, jo vetëm që nuk kishte as pjeshkë vendi dhe as pjeshkë greke, por për çudi mungonte edhe banania shqiptare.
Në minimarket shitej vetëm një frut: BANANIA GREKE nga Dropulli, e ambalazhuar nga Qeveria! Se me çfarë mbetën të gjithë, kjo s’do as mend as kalem. Qeveria përdhosi përsëri dinjitetin e qytetarëve, sidomos atyre të Lumit të Vlorës, të cilëve u ishte premtuar pjeshkë vendi.
Nëse shkaktoi gaz, habi apo edhe konfuzion kjo fabul, pak di të them. I sigurt jam se ky rrëfim është as më shumë e as më pak se paralelizëm i një realiteti ku manipulimi i zgjedhjeve tani është rregull dhe jo përjashtim. Fushata agresive e manipulimit zgjedhor në Himarë ekspozoi edhe një herë një realitet të frikshëm: ky është kulmi i plotfuqisë së monstrës së Pushtetit dhe dinjiteti i njerëzve është ushqimi i saj! Propaganda e lukunisë së kotheres nuk ndalet së shituri e vetëshituri idenë se Himara u thye kësaj here.
E vërteta ama bërtet më fort se propaganda. Ashtu si pritej, më shumë i shtrëngon zinxhirët e lirisë së himariotëve, më të ashpër e pret përgjigjen e tyre. Këtë fakt, vetë monstra e Pushtetit e dinte mirë, e ka lexuar në rrëfenja, ndër libra, e ka jetuar mbase në brigjet e atij vendi. Himariotët përsëri zgjodhën dinjitetin njerëzor, dhe monstra e Pushtetit, nuk ua përpiu dot lirinë për t’i thënë sërish jo neverisë që kall veç monstra. Megjithatë, kësaj here nuk mjaftoi. Pesha specifike e dinjitetit himariot në atë bashki sa vjen dhe zvogëlohet, dhe ky regres i ka rrënjët te reforma territoriale diskriminuese.
Pyetja që ngrihet për rrjedhojë është: nëse mekanzimi që i shumëfishon tentakulat monstrës është tashmë i ditur dhe propaganda intensive nuk ia del ta mundë atë, a duhet të mbështetet analiza e pas-gjëmës në retorikë? Nëse e dimë sëmundjen, logjika e do të kërkojmë ilaçin e duhur. Reforma territoriale tjetërsoi edhe njëherë vullnetin e qendrës së një bashkie duke i bashkangjitur patericat e fshatrave fitores së monstrës së pushtetit. Menduar më mirë, ky është një lajm i mirë në vetvete, sepse zhbën absurdin bosh të fuqisë absolute të monstrës. Një monstër e fuqishme aq sa pretendon nuk ka nevojë as për paterica, as për tjetërsim të rezultatit përmes mekanizmave paraprakë si reforma territoriale. Megjithatë, ne përballë monstrës nuk mund të mjaftohemi me kaq.
Nëse ka luftë që meriton energjitë tona, është ajo për zhbërjen e mekanizmave që ka instaluar ndër vite monstra. Tjetërsimi i vullnetit qytetar nuk është mjaftuar vetëm me shqyerjen ne xhaketës së tyre për votën, por përmes mekanizmave të mirëfilltë ligjorë dhe elektoralë, që me apo pa heshtjen tonë, ia kanë dalë t‘i sigurojnë në çdo rast ekzistencën monstrës. Ndryshimet duhet të nisin nga këtu.
Kisha kohë që mendoja si t’ia shpjegoj proletariatit të monstrës rëndësinë e dinjitetit, atë që ta jep më shumë se gjithçka liria e zgjedhjes personale. Shumë shqiptarë nuk e identifikojnë dinjitetin me lirinë e zgjedhjes, por vetëm me cënimin e integritetit fizik dhe moral. Prandaj, për ilustrim, krijova një fabul me fruta.