‘Bjeri gajdes Fajdexhi’: Mikrokreditë në vende si Shqipëria, një fatalitet ekonomik
Nga Argita Gjymishka Anëtare e Departamentit BrainGain
Në vitet e fundit, mikrokreditë kanë shërbyer si një mjet i rëndësishëm për shumë individë që kërkojnë financim të shpejtë dhe të lehtë. Megjithatë, ngjarjet e fundit kanë treguar se disa institucione financiare kanë shfrytëzuar këtë nevojë për përfitime të paligjshme, duke krijuar një skandal të madh që ka prekur mijëra qytetarë dhe ka vënë në pikëpyetje integritetin e sektorit financiar në Shqipëri. Teksa mikrokreditë kanë potencialin për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik dhe për të luftuar varfërinë, pasojat e tyre negative në Shqipëri janë të shumta dhe komplekse. Realiteti tregon se ato janë më afër idesë së marrjes të borxhit me fajde, se sa afër një kredie ‘normale’. Mirëpo fajdexhinjtë në këtë rast u ranë gajdeve, derisa ato plasën dhe sollën situatën në të cilën ndodhemi sot. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, disa subjekte mikrofinanciare, së bashku me disa shoqëri përmbarimore dhe përmbarues, kanë krijuar një skemë mashtruese për të përfituar nga qytetarët. Këto subjekte kanë blerë mijëra kredi të këqija dhe të pashlyera nga banka të nivelit të dytë dhe kanë imponuar kredimarrësit të marrin kredi të reja për të shlyer ato të vjetrat. Për të shlyer këto kredi, kanë përdorur taktika shtrënguese, duke bllokuar rrogat, pronat dhe makinat e debitorëve përmes shoqërive përmbarimore. Për të zhbllokuar këto asete, debitorët janë detyruar të marrin kredi të reja nga i njëjti institucion financiar, duke krijuar një cikël të pafund borxhi dhe detyrimesh.
Pasojat ekonomike të mikrokredive në Shqipëri
Një nga problemet kryesore me mikrokreditë në vendin tonë është niveli i lartë i interesave të ngarkuara nga institucionet mikrofinanciare, duke i bërë kredimarrësit të marrin kredi të reja për të shlyer të vjetrat dhe duke kufizuar aftësinë e tyre për të kursyer dhe investuar në mënyra të tjera produktive. Shumë individë përdorin mikrokreditë për të mbuluar nevojat e përditshme, duke treguar kështu vështirësitë ekonomike dhe mungesën e një rrjeti të mjaftueshëm të mbështetjes sociale dhe ekonomike. Për më tepër, mungesa e konkurrencës së ndershme në tregun e mikrofinancës ka çuar në monopolizimin e sektorit nga disa institucione të mëdha, të cilat diktojnë kushtet e kredive dhe interesat. Problemet me pajtueshmërinë ligjore dhe korrupsioni brenda institucioneve mikrofinanciare krijojnë një mjedis të pasigurt për kredimarrësit dhe pengojnë zhvillimin e një sistemi të shëndoshë financiar, duke bërë që shumë individë dhe biznese të vogla të bëhen të varur nga ndihma financiare e jashtme. Kjo varësi krijon një mjedis ekonomik të pasigurt dhe pengon zhvillimin e qëndrueshëm të brendshëm.
Për më tepër, mikrokreditë mund të kontribuojnë në rritjen e pabarazisë ekonomike, pasi individët që nuk mund të përballojnë interesat e larta përfundojnë në një situatë më të keqe financiare, ndërsa ata që kanë qasje në burime të tjera financiare përfitojnë më shumë. Kjo gjithashtu pengon zhvillimin e bizneseve të vogla, të cilat përballen me sfida të mëdha në shlyerjen e kredive dhe mund të falimentojnë, duke rezultuar në humbjen e vendeve të punës dhe një ndikim negativ në ekonominë lokale. Për të shmangur borxhet dhe interesat e larta, shumë individë dhe biznese mund të kalojnë në ekonomi informale, duke shmangur taksat dhe detyrimet e tjera ligjore, çka e vështirëson mbledhjen e të ardhurave për shtetin dhe rrit rrezikun e abuzimeve dhe shkeljeve të të drejtave të punëtorëve. Një rol shumë të rëndësishëm luan edhe Banka e Shqipërisë, e cila ka për detyrë të sigurojë mbikëqyrjen dhe rregullimin e institucioneve mikrofinanciare për të garantuar që ato operojnë në përputhje me ligjin dhe standardet etike. Gjithashtu, ajo duhet të ndërhyjë për të mbrojtur interesat e kredimarrësve dhe për të ruajtur stabilitetin e sistemit financiar në vend.
Mikrokreditë në shumë vende të botës kanë qenë një mjet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik. Për shembull, Grameen Bank në Bangladesh, e krijuar nga Muhammad Yunus, ka dhënë miliarda dollarë në kredi të vogla për të varfrit, duke ndihmuar miliona njerëz të dalin nga varfëria. Megjithatë, edhe këtu, hyrja e bankave dhe investitorëve të mëdhenj në treg ka çuar në probleme, me shumë kredimarrës që përfundojnë të zhytur në borxhe.
Studimi mbi rregullimin e mikrokredive në Evropë
Raporti i grupit ekspert mbi rregullimin e mikrokredive në Evropë, i cili përfshin 26 ekspertë nga 20 vende anëtare dhe Turqia, thekson se në Evropë vetëm dy vende, Franca dhe Rumania, kanë legjislacion specifik për mikrokreditë. Në shumicën e vendeve të tjera, mikrokreditë rregullohen në bazë të ligjeve që mbulojnë institucionet që e ofrojnë atë, kryesisht banka dhe jo-banka. Për bankat, rregullimi është i qartë dhe i harmonizuar në një masë nga ligji bankar evropian, ndërsa për jo-bankat, qasja rregullatore ndryshon nga vendi në vend.
Ekspertët sugjerojnë që për modelin bankar nuk është aq shumë rregullimi që pengon ofrimin e mikrokredive, por risku dhe kostot. Në këtë model, bashkëpunimi më i ngushtë me shërbimet ekzistuese të mbështetjes së biznesit mund të ndihmojë në uljen e kostove dhe në rritjen e mundësive për mbijetesë afatgjatë të ndërmarrjeve, veçanërisht për fillestarët.
Propozime për krijimin e një mjedisi favorizues për mikrokreditë
Për të adresuar problemet e krijuara nga skandali i mikrokredive në Shqipëri dhe për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen, është e rëndësishme të krijohet një mjedis favorizues për to. Kjo përfshin:
Mbështetje shtetërore dhe private: Ofrimi i skemave të garancisë dhe fondeve të posaçme për mikrokreditë, ashtu siç është bërë në vende të ndryshme të Evropës, mund të ndihmojë në ndarjen e riskut dhe në sigurimin e kapitalit për institucionet mikrofinanciare.
Inkurajimi i investimeve: Përdorimi i stimujve tatimorë për të inkurajuar investimet në sektorin e mikrofinancës, ashtu siç është bërë në Irlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar, mund të ndihmojë në sigurimin e burimeve të nevojshme për mikrokreditë.
Legjislacioni dhe mbikëqyrja e përshtatshme: Krijimi i një kornize ligjore dhe rregullatore që mundëson funksionimin e një game të gjerë të ofruesve të mikrokredive, do të ndihmonte në sigurimin e mbrojtjes së konsumatorëve dhe në nxitjen e konkurrencës së drejtë.
Rritja e transparencës dhe mbrojtjes së konsumatorit: Institucionet mikrofinanciare duhet të kenë detyrime të qarta për të informuar kredimarrësit për termat dhe kushtet e kredive, duke përfshirë normat e interesit, tarifat dhe detyrimet e tjera. Kjo do të ndihmojë parandalimin e keqinformimit dhe mashtrimeve.
Edukimi i vazhdueshëm i kredimarrësve: Fushatat për ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi rreziqet dhe përfitimet e mikrokredive, si dhe për menaxhimin e borxhit dhe planifikimin financiar, janë thelbësore për të siguruar që njerëzit të marrin vendime të informuara dhe të përgjegjshme financiare.
Mekanizma të qarta për ankesat dhe ndihmën ligjore: Krijimi i zyrave ose qendrave të posaçme për trajtimin e ankesave dhe ofrimin e ndihmës ligjore për qytetarët që përballen me probleme me mikrokreditë do të ndihmonte në rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin financiar.
Në përfundim, ndonëse mikrokreditë mund të jenë një mjet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe ndihmën financiare, skandalet dhe abuzimet e fundit në Shqipëri kanë treguar nevojën për një rregullim dhe mbikëqyrje më të mirë të këtij sektori. Për të mbrojtur qytetarët dhe për të siguruar që mikrokreditë të përdoren në mënyrë të drejtë dhe etike, është thelbësore të ndërmerren masa konkrete dhe të bashkëpunojnë të gjitha palët e interesuara.