Nga Neada Stana

 

Gjatë qeverisjes së saj Partia Demokratike ka kultivuar dhe forcuar marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë përmes një politike që kishte thelbësore interesin kombëtar, dhe në funksion të tij marrëdhëniet me fqinjët dhe aleatët tanë.

Partia Demokratike ka lindur si një forcë antikomuniste, euro-atlantike, dhe ka pasur përherë një qasje pro-Perëndimore në politikën e saj të jashtme. Modeli ynë shtetformues, ekonomik e shoqëror ka qenë dhe është i bazuar në modelin e suksesshëm amerikan, britanik e europian, për t’u marrë më të mirën, me qëllim ndërtimin e tregut të lirë, institucioneve të forta e demokracisë funksionale.

Prej krijimit, PD ka vendosur dhe ka zhvilluar një dialog të ngushtë dhe serioz me shtetet anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, si dhe me organizatat ndërkombëtare të tjera. Ky përvjetor i futjes së Shqipërisë në NATO është një moment reflektimi, mbi politikat e suksesshme të qeverive të djathta shqiptare, reformave që kanë bërë të mundur integrimin tonë në NATO dhe në institucione të tjera, dhe një moment për të menduar për vizionin tonë për të ardhmen e vendit.

Ne jemi të vetdijshëm se marrëdhëniet tona të ngushta diplomatike me partnerët strategjikë, si SHBA-ja, dhe partnerët evropianë, janë thelbësore për të ardhmen tonë.

Ky bashkëpunim është prioritet për ne, dhe qëndron në bazë të politikave tona për të ardhmen, duke përfshirë rritjen ekonomike, sigurinë kombëtare dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.
Një bashkëpunim serioz dhe i bazuar në interesin kombëtar. Dhe jo show politik pa substancë bashkëpunimi siç bën kryeministri aktual i Shqipërisë.
Partia Demokratike synon një bashkëpunim të bazuar në korrektësi, transparencë, dhe në interesat e përbashkëta të Shqipërisë dhe aleatëve të saj strategjikë.

PD-ja ka shfaqur një përkushtim të vazhdueshëm për të rritur e forcuar demokracinë shqiptare duke promovuar në të njëjtën kohë stabilitetin dhe paqen në një rajon delikat si Ballkani. PD e ka të qartë se demokracia e stabiliteti duhet të shkojnë së bashku, pasi sakrifikimi i demokracisë për hir të stabilitetit, përfundimisht sjell autokraci dhe destabilitet.

Qeveria e PD-së ka qenë faktor kyç në realizimin e reformave të nevojshme për të plotësuar kriteret për anëtarësimin në NATO, duke përfshirë këtu modernizimin e forcave tona ushtarake dhe përmirësimin e kapaciteteve, rritjen e kredibilitetit të vendit tonë përkundrejt partnerëve tanë dhe forcimin të ekonomisë.

Diplomacia e jashtme ka qenë gjithashtu një armë e fuqishme e PD-së në këtë proces, nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, dhe politikave ndërkombëtare. Shqipëria përgjatë qeverisjes së PD qëndronte kokëlartë mes vendeve aleate Perëndimore, në mënyrë të paekuivok.
Bazuar në sukseset e qeverisjes së saj, PD synon edhe një diplomaci ekonomike, ku me garë të lirë e të ndershme, duke respektuar rregullat e tregut të lirë, të vijnë investitorë seriozë Perëndimorë, duke hequr sytë nga Lindja që i kemi pasur këto vite e duke shkuar drejt Perëndimit.

Rezultati i gjithë reformave të qeverisjes së PD? Në vitin 2009, Shqipëria u pranua si anëtare e NATO-s, një moment historik për popullin tonë dhe sigurinë në rajon. Dhe këtë vit festojmë 15 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Në një botë të pasigurt, me luftën në Ukrainë, në Lindjen e Mesme, me një rend botëror të paqartë, vendosmëria për të bërë reformat e duhura, për të futur vendin në këtë aleance, merr një rëndësi të veçantë.

Kështu, Partia Demokratike arriti të plotësojë një ëndërr shumëvjeçare, për të na afruar më tej me Perëndimin, por dhe të hapë një kapitull të ri në historinë tonë kombëtare, benefitin e të cilës po e shohim sot.

PD do të jetë ajo që me politikat e saj serioze në lidhje me marrëdhëniet ndërkombëtare do të bëjë të mundur dhe integrimin e Shqipërisë ne Bashkimin Europian. PD do t’u kthejë besimin Shqiptarëve që integrimi në BE është i mundur, duke ndërmarrë reformat e duhura ekonomike e sociale, të cilat fuqizojnë individin dhe familjen shqiptare, me taksa të ulëta, treg të lirë, incentiva për investim, qeveri e vogël, etj., që kur të bëhemi pjesë e familjes së cilës i përkasim, të shkojmë si të barabartë, me dinjitet dhe me kokën lartë. Vetëm një forcë e djathtë si Partia Demokratike jep garancinë e duhur për të arritur këtë.