‘Sytë nga Amerika, motoja e drejtimit të ri’ – Rrotacioni politik, i domosdoshëm për Shqipërinë

Amarildo Veizi, anëtar i Departamentit Brain Gain, mbajti një fjalim sot në tubimin poshtë shtëpisë së kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Në fjalën e tij, Veizi theksoi rëndësinë e orientimit të politikave drejt Amerikës, duke u mbështetur në modelin demokratik dhe vlerat e saj.   Ai ngriti shqetësimin për situatën ekonomike dhe humbjen e vlerës së kursimeve të qytetarëve për shkak të inflacionit dhe investimeve informale. Veizi nënvizoi se rrotacioni politik është një proces i pashmangshëm dhe i domosdoshëm për një demokraci të shëndetshme. Ai përmbylli fjalimin e tij me mesazhin se frika duhet të kapërcehet në mënyrë që demokracia të zhvillohet në Shqipëri.
‘Motoja duhet të jetë “sytë nga Amerika.”
Ekonomia, remitancat aktuale dhe euro janë, si të thuash, një ujë që ka nisur të vlojë që prej vitit 2015 dhe tashmë ka arritur kulmin. Për ta thënë shqip, bukur dhe saktë, një shqiptar që ka pasur 100 mijë euro depozitë në bankë në vitin 2015, ka pasur afro 130 milionë lekë të vjetra; sot ka 97 milionë lekë të vjetra. Arsyeja janë të gjitha paratë e padeklaruara informale, të futura në Shqipëri nëpërmjet investimeve, përveç faktorit turistik që është ndërtuar si fasada më e mirë e saj. Sot vuajmë këtë kurs këmbimi, i cili ndëshkon shumë shqiptarë. Ashtu si populli amerikan diti të bëjë zgjedhjen e tij, edhe në Shqipëri është i pashmangshëm ky rrotacion. Do të citoja një shprehje që përkon me momentin: “Asgjë nuk është e përhershme, përveç ndryshimit,” dhe rrotacioni është po aq i nevojshëm sa edhe i pashmangshëm në Shqipëri. Një tjetër shprehje thotë: “Demokracia fillon aty ku vdes frika,” dhe shqiptarët do ta vrasin frikën, sepse do të lindë demokracia.’- u shpreh Veizi.