Në Shqipëri nuk ka të pasur, as treg të lirë! Ka vetëm ‘tipa me lek’ dhe ‘tipa me shumë lek’!
Sofokli Çakalli Anëtar i Departamentit BrainGain
Tri dekada pas rënies së regjimit më të egër komunist në Europë, do të ishte naive të mendohej se Shqipëria do të kishte arritur të krijonte një klasë sipërmarrësish, si rrjedhoje e tregut të lirë, të klasifikuar në vendet kapitaliste si ‘para e re’ (new money). Natyrisht, komunizmi arriti të zhdukte dhe atë që në rrethana të tjera do të quhej ‘para e vjetër’, të cilët do të kishin grumbulluar pasurinë e tyre në dekada, do të kishin kontribuar në zhvillimin e vendit, dhe do të kishin një rol vendimmarrës në shumë aspekte. Ndoshta, nëse komunizmi nuk do kishte pushtuar vendin për gati gjysmë shekulli, duke mbjellë mjerim e krim, do kishim një kastë sipërmarrësish e filantropësh me pasuri të trashëguar ndër vite që respektonin traditat, që shmangin publicitetin dhe jetonin me stil demode. Nga ana tjetër, do kishin kontrastin e tyre, ‘Lekun e ri’ me pasuri volatile të fituar kryesisht pas viteve 2000, të specializuar dhe me investim të përqendruar vetëm në fusha të veçanta, që e dashuronin famën dhe publicitetin, të hapur për shoqëri dhe ide të reja, të pakursyer të shpenzonin në eksperiencë ekzotike e që nuk pyesnin për rregullat e traditës. Është ky kontrast i gjendur në shumë prej shoqërive perëndimore, ardhur si rrjedhoje e dinamikave të tregut të lirë.
Ndoshta ‘Leku i vjetër’ në Shqipëri do të mund të përfaqësohej nga familjet e pasura shqiptare para regjimit komunist sikur atyre t’u kthehej prona. Ata të cilit vinin nga familjet e pronarëve, patriotëve, shtetformuesve dhe sipërmarrësve të parë shqiptarë të kohës së Mbretërisë. Ndërsa, mbase me pak përjashtime, sipas logjikës më lart, gjithë të tjerët duhet të ishin ‘Leku i ri’, që gjithsesi do të jepnin kontributin e tyre për zhvillimin e ekonomisë, industrializimin e vendit, por dhe do të mbanin qëndrime të rëndësishme për çështje atdhetare apo kauza madhore të shoqërisë shqiptare. Nëse kjo klase e re do të vinte si pasojë e tregut të lirë, konkurrencës e meritokracisë, e jo si rrjedhojë e favorizimit shtetëror, atëherë ajo do të ishte më e pavarur për të mbajtur qëndrime të caktuara.
Por për fatin tonë të keq, ne nuk kemi arritur të mbajmë apo krijojmë asnjërën nga të dyja. Në një pjesë të konsiderueshme, klasa e ‘parasë së re’ është një grupim i vogël, i lidhur ose me pushtetin ose me trafikun e drogës ose me të dyja. Për të kuptuar këtë grupim, le të analizojmë skajet absurde të spektrit; ata me të vegjël le t’i klasifikojmë tek grupi ‘Tipa me lek’ dhe të mëdhenjtë tek grupi ‘Tipa me shumë lek’.
‘Tipat me lek’
Për të identifikuar disa nga këta që ne i quajmë rendom ‘tipa me lek’, mjafton të dilni tek lagjja e të shihni kush ka makinë 50 mijë euro dhe ende jeton në pallat me tulla të kuqe të ndërtuar pa pagesë nga të burgosurit e të dhuruar nga shteti komunist. Disa të tjerë ndoshta kanë bërë një hap pak më shumë, kanë blerë ose këmbyer ndonjë apartament tek këto pallatet ‘e reja’ me arkitekturë të vjetër, por prapë se prapë nuk kanë me çfarë të ngrohen në dimër e më çfarë të ftohen në verë. Ky grup gjithashtu është kontribuuesi kryesor për bumin e biznesit të impiantit të gazit, duke qenë se llambat e karburantit të makinave nuk fikeshin kurrë.
Në një shoqëri normale demokratike, këta tipa ekzistojnë vetëm si shembulli i dikujt që ka fituar një lotari miliona dollarëshe, e që gjënë e parë që bën është blerja e një makine a ndonjë rrobe. A thua kaq shumë tipa kanë fituar lotarinë apo kaq shumë trafikante ordinere ka Shqipëria?! Tek ky grup me botëkuptim të vogël dhe me fjalor të dominuar nga organet gjenitale, hyjnë dhe shefat e administratës lokale, drejtorët ‘Magneto’ të lekut e specie të ngjashme me këta që nga imbecili papritur katapultohen në poste të larta. ‘Tipat me lek’ janë kryesisht ata që planifikojnë sot për sot, që kanë zili tipat e tjerë të grupit ‘Me lek’, dhe nuk arrijnë kurrë të bëhen vërtet të pasur, apo përfaqësues të një klase sipërmarrësish që kanë se çfarë të kontribuojnë. U bë kohë që ‘Tipat me lek’ janë grup në rritje në Shqipëri, nuk e kanë frikë shtetin dhe moto të jetës kanë ‘Nuk kemi asgjë për të humbur’ e ‘Vetëm një herë vjen pushteti’. Disa pa diploma, disa me diploma false e disa me diploma nga universitetet fallco, për lulëzimin e këtij grupi është vetëm një grup përgjegjës, ‘Tipat me shumë lek’.
‘Tipat me shumë lek’
‘Tipat me shumë lek’ janë ata që rëndom i quajmë biznesmenë ‘të suksesshëm’ (apo në disa raste u themi dhe oligarkë), kryesisht me aktivitet në Tiranë që burim kryesor të pasurisë kanë lidhjen me pushtetin. Ata mund të ndihen dhe krenarë që ja kanë dalë të jenë, sipas ligjit të xhunglës, më të fortët. Por, e vërteta qëndron se ata nuk kontribuojnë assesi për emancipimin e xhunglës, vetëkënaqen kur rrokullisen në llucën e saj e kur janë krejt të lyer me llum, kthehen e hipin në pemët më të larta të pushojnë. Shumica e ‘Tipave me shumë lek’ janë pjesë e biznesit të pronave të paluajtshme, sidomos në dekadën e fundit. Ky biznes u është bërë më shumë se filozofi, u është bërë obsesion, kush e kush të bëjë gropën më të thellë e kullën më të lartë. Një filozofi tipike për shoqëritë me të ardhme të pasigurta, në të cilat aset konsiderohet vetëm gjëja që prek dhe sheh. Pothuajse askush prej tyre nuk investon në software, në shkencë apo akademi. Të gjithë janë të lumtur për kullën e pronën publike të zaptuar.
‘Tipat me shumë lek’ konsiderohen elita publike në vendin tonë dhe rrjedhimisht përcaktojnë kahun e zhvillimit të shoqërisë. Fatkeqësisht, pothuajse asnjë tip ose tipe ‘Me shumë lek’ nuk ekspozohet publikisht, as investohet ekonomikisht në përkrahjen e kauzave sociale, si platforma kundër varfërisë, liritë e të drejtat individuale,kauzat e studentëve, lëvizja kundër dhunës policore, të drejtat e romëve, të përkrahëlëvizjen për mbrojtjen e teatrit, të punojë për fuqizimin e ligjit kundër dhunës në familje. Asgjë! Disa prej tyre as nuk mund ta konceptojnë përqafimin e ndonjë kauze të tillë.
‘Tipat me shumë lek’ frikën më të madhe kanë pasigurinë, dhe si mbrojtje përdorin dhunën ekonomike (dhe shpeshherë forcën fizike) për t’u distancuar e jetuar veçmas. Po sa i sigurt mund të jesh në xhungël sado lart që të hipësh? Sa i sigurt dhe i qetë është një milioner në Rusi? Sa i qetë dhe i sigurt është një biznesmen diamantesh në Sierra Leone apo Kongo? Siguria shkon në përputhje të drejtë me forcimin e shtetit, por kjo e dyta nuk i konvenon ‘tipave me shumë lek’.
Brenga më e thellë e imja janë fëmijët e tyre. Arsyeja e vërtetë pse sot pas 30 vitesh ende nuk kemi një elitë kombëtare të trashëguar është se ‘tipat me shumë lek’ kanë dështuar në rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Shumë prej tyre edhe pse studiuan jashtë shtetit, jetuan të izoluar,nën shoqërinë e tipave të ngjashëm e pothuajse asgjë nuk ndryshoi në botëkuptimin e tyre. Disa ‘tipa me shumë lek’ janë baballarë të mirë, por prindër të këqij. Disa janë prindër të mirë por bashkëshortë të këqij. Të gjithë pjesë së të njëjtës xhungël.
Nëse ne si shoqëri kemi arritur të krijojmë vetëm këto dy kategori, duke sakrifikuar vlerat e traditat tona, tregun e vërtetë të lirë, konkurrencës e meritokracinë, atëherë ne kemi dështuar si shoqëri.
Të dalësh nga grupi i ‘tipave me shumë lek’ e të fillosh tranzicionin për t’u bërë i pasur legjitim, të duhet shumë më shumë se një diplomë ‘nga jashtë’. Të duhet një perceptim i ri për jetën. Të duhet të sakrifikosh disa privilegje artificiale të fituara imoralisht. Të jesh i pasur është fisnikëri që duhet të të mbushë me besim dhe krenari, jo frikë dhe egoizëm. Është një proces që të bën të kuptosh se niveli kulturor dhe mënyra jetësore është pasuria e vërtetë.
Ky proces fillon vetëm me një zotim: Të investojmë në formimin kulturor dhe akademik të fëmijëve dhe brezave të mëvonshëm me vizionin se NJERIU ËSHTË AQ I PASUR SA SHOQERIA KU JETON.