Libri i Zi i Rilindjes/ E rëndësishme të ekspozohet hendeku mes premtimeve të vitit 2013 dhe realitetit të hidhur pas 12 viteve keqqeverisjeje
Nga Aurora Barçi dhe Gledis Muhametaj/
Në një kohë kur propaganda e Rilindjes ka shtrirë tentakulat e saj dhe ka mbërthyer çdo sferë të jetës së shqiptarëve përmes censurës dhe manipulimit të qëllimshëm, ne, anëtarët e Departamentit Brain Gain, kemi ndërmarrë një iniciativë të re që ndjek gjurmët e iniciativave tona të mëparshme: “Libri i Punëve të Mira të PD-së” dhe “Ata munden,” për të demaskuar këtë sistem autokratik që na është ulur këmbëkryq në vendin tonë dhe i bën sehir kalvarëve të vuajtjeve të shqiptarëve. Në të njëjtën kohë, ne synojmë të promovojmë vlerat e transparencës dhe të drejtësisë si shtylla të një shteti funksional.
Kur ndërtojmë një narrativë, është thelbësore që çdo hap të mbështetet te suksesi i mëparshëm dhe të shërbejë si bazë për hapin e radhës. Pikërisht kjo logjikë është ajo që frymëzoi krijimin e “Librit të Punëve të Mira të PD-së,” një projekt që dokumentoi arritjet e jashtëzakonshme të Partisë Demokratike gjatë qeverisjes së saj. Ky libër u bë një pikë referimi për militantët dhe të gjithë ata “që e kanë kujtesën e shkurtër” e që kërkojnë prova konkrete të punës së mirë të bërë për shqiptarët.
Në të njëjtën linjë, projekti i ri, “Libri i Zi i Rilindjes,” është hapi i dytë i këtij procesi. Ai jo vetëm që kontraston me “Punët e Mira” të Partisë Demokratike, por gjithashtu synon të demaskojë dhe të hedhë dritë mbi të gjitha skandalet dhe abuzimet e qeverisë Rama, duke ofruar thjeshtësim të fakteve konkrete që çjerrin narrativën e tyre manipuluese, me anë të së cilës mundohen t’u hedhin “hi syve” shqiptarëve. Shqipëria, siç ne, si Departament Brain Gain, e kemi teorizuar më parë, është nën sistemin e konfuzionit të përhershëm ku, edhe pse e vërteta ekziston dhe është para syve, njerëzit e kanë shumë të vështirë për ta parë.
Është e rëndësishme të ekspozohet hendeku mes premtimeve të mëdha të vitit 2013 dhe realitetit të hidhur pas 12 viteve keqqeverisjeje. Mjafton të rikujtojmë deklaratat e Ramës të publikuara nga Deutsche Welle në qershor të vitit 2013, ku premtonte transparencë të plotë për koncesionet dhe privatizimet, ndalimin e importit të plehrave brenda 100 ditëve të para, luftë të ashpër kundër korrupsionit dhe ndalim të braktisjes së fshatit. Në kontrast, situata aktuale pas 12 viteve tregon një realitet të përmbysur me skandale të faktuara: projekti i inceneratorëve që përfshiu qindra milionë euro për objekte inekzistente; koncesioni i sterilizimit, një barrë financiare e rëndë mbi sistemin shëndetësor; skandali me mbetjet toksike të ankoruara në brigjet shqiptare, që pasqyrojnë dështimin kolosal në menaxhimin e mbetjeve; dhe fshatra në izolim e braktisje totale.
Jemi në prag të zgjedhjeve, dhe këto 12 vite mund të përshkruhen si periudhë stagnacioni e herë regresi për Shqipërinë. Mjafton të kujtojmë se Shqipëria, e cila në 2013 ishte ndër vendet me rrogat më të larta në rajon, sot është në fundin e listës me pagat më të ulëta, ndërsa sipas rezultateve të fundit të INSTAT, Shqipëria ka 42.1% të popullsisë që vuajnë nga një formë e rëndë e varfërisë.
Krahas “Librit të Punëve të Mira,” ku ne jemi munduar, mes shumë punëve të mira të Partisë Demokratike, të pasqyrojmë më së miri atë që është bërë, ne përballemi me sfidën e re për të paraqitur dhe për të rikujtuar, me anë të një përmbledhjeje akademike, këto skandale dhe premtime të pambajtura. Ky “Libër i Zi i Rilindjes” do të jetë edhe projekti më i ri i Departamentit Brain Gain, i cili do të përgatitet dhe do të publikohet para fushatës elektorale të vitit 2025, duke shërbyer si një nga kartat e vetme të moralit dhe të vërtetës që na kanë mbetur neve si demokratë.