‘Kosova: Një histori…’

‘Kosova: Një histori…’

Nga Neada Stana

 

Ditë e Shënuar për Popullin Shqiptar: Shpallja e Pavarësisë së Kosovës

Sot është një ditë e shënuar në historinë e popullit tonë dhe në veçanti për Shtetin e Kosovës. Si sot, 16 vjet më parë, falë përpjekjeve, luftërave, sakrificave, privacioneve dhe rezistencës së pashoqe në Evropën e Shekullit të 20-të dhe fillim shekullit të 21-të, të shqiptarëve të Kosovës, u shpall pavarësia e Republikës së Kosovës dhe filloi procesi i njohjeve të shtetit të dytë shqiptar në Ballkan.

Ardhja e kësaj dite të bardhë historike, jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por edhe për historinë e popullit shqiptar si këtu në Shqipëri, ashtu edhe në trojet etnike që i rrethojnë të dyja shtetet tona, ka qenë një moment i jashtëzakonshëm historik. Ajo ditë e shpalljes së pavarësisë shënon korrigjimin deri në një farë mase të padrejtësive të jashtëzakonshme që i janë bërë kombit tonë ndër shekuj, sidomos pas copëtimit të territoreve të tëra shqiptare në 1912 nga fuqitë e mëdha.

Për arritjen e kësaj dite është derdhur shumë gjak, kanë rënë shumë heronj dhe martirë. Në themelet e saj qëndron qëndresa e popullit shqiptar. Por, kjo arritje kaq e madhe nuk do të vinte dot pa mbështetjen e miqve tanë perëndimorë, më së pari atyre Anglo–Amerikanë, të cilët luajtën rolin kryesor në çlirimin e Kosovës.

Në fakt, ka qenë një qasje e përbashkët e rezistencës së popullit shqiptar, fillimisht me forma paqësore dhe më pas me forma të rezistencës së armatosur, që ndërgjegjësoi bashkësinë perëndimore demokratike për genocidin që po ushtrohej ndaj popullit tonë. Por bashkë me të, kanë luajtur një rol shumë domethënës dhe të pakrahasueshëm edhe individë të shquar nga bota Anglo–Amerikane që i shpjeguan Perëndimit të vërtetën historike mbi prejardhjen autoktone të shqiptarëve në Kosovë, në Dardani.

Ndërsa shqiptarët luftonin, vendimmarrësit e aleancës së Veriut, NATO, duhej të kishin argumentin historik dhe shkencor për të argumentuar aktin e ndërhyrjes ushtarake. Këtu ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe libri i Sir Malcolm, “Kosova: Një Histori e Shkurtër”, duke pasur një efekt domethënës në mënyrën sesi politikanët perëndimorë e kuptuan rëndësinë dhe situatën e çështjes së Kosovës nga këndvështrimi i një studiuesi ndërkombëtar.

Ky libër bëri që qendra botërore ta shihte me një sy krejt tjetër problemin e Kosovës në prag të luftës. Autori e paraqet një pasqyrim objektiv të Kosovës gjatë luftës me Serbinë. Historia e Kosovës që nga periudha e pushtimit romak e deri në ditët e sotme është në fokus të librit “Kosova: Një Histori e Shkurtër” të historianit anglez Noel Malcolm. Kjo është edhe vepra që e cilësoi atë si më të mirin e autorëve të huaj në konkursin e albanologjisë.

Sir Malcolm trajton me objektivitet ngjarjet historike dhe rivlerëson të vërtetën historike të deformuar nga mitet dhe trajtimi tendencioz i historiografisë serbe. Të cilin e falënderojmë në emër të të gjithë shqiptarëve për këtë kontribut të jashtëzakonshëm që i ka dhuruar kombit tonë me veprën “Kosova: Një Histori e Shkurtër”.

Qëndrimi i Partisë Demokratike ndaj Çështjes së Kosovës

Përsa i përket qëndrimit të Partisë Demokratike ndaj çështjes së Kosovës, ajo që në gjenezë, që në themelimin e saj në shkurt të vitit 1990, kishte në programin e saj themelues çështjen e Kosovës, ku theksonte: “PD do të luftojë për të drejtat e shtetasve shqiptarë në Jugosllavi”.

Gjatë viteve 1991-1994, iu dha udhëzim i veçantë trupës diplomatike shqiptare, që t’i kushtohet rëndësi e veçantë çështjes së Kosovës. Një nga drejtimet kryesore të politikës në ato vite ishte çështja e Kosovës, dhe diplomacia shqiptare ka qenë gjithmonë në dispozicion të Kosovës dhe Rugovës. Partia Demokratike ka pasur një qasje të palëkundur ndaj çështjes së Kosovës, që ka dhe kontinuitet deri në ditët e sotme.

Slogani “Një Komb, Një Qëndrim” ka shërbyer si udhërrëfyes për mbajtjen e një qëndrimi të fortë ndaj luftës në Kosovë. PD ishte formuluese e tezës: “Nuk jemi aktor, por aktiv”. Dy definicione të Partisë Demokratike që kanë ndikuar në Pavarësinë e Kosovës dhe në qëndrueshmërinë e politikave tona dhe në ndikimin me ndërkombëtarët.

Pas vitit 2005, Partia Demokratike ishte ideatorja dhe realizuesja e Rrugës së Kombit, rrugë që lidhi dy pjesë të kombit. Gjithashtu, ishte formuluese e tezës se Bashkimi Kombëtar do të bëhet në BE. Ajo ka luajtur një rol jetik në emancipimin e çështjes së Kosovës së çliruar drejt Pavarësisë.

Megjithatë, është e rëndësishme të vazhdojmë të kemi të njëjtën qasje dhe në të ardhmen, të ndjekim të njëjtën traditë dhe seriozitet me Kosovën si shtet i Pavarur, aspirant për NATO dhe BE.

Roli i Shqipërisë në Pavarësinë e Kosovës dhe Qëndrimi i Edi Ramës

Të ndiqet e njëjta linjë bashkëpunimi për të ekuilibruar dhe neutralizuar ndikimin dhe bashkëpunimin e Serbisë dhe Rusisë në Ballkan. Një bashkëpunim i tillë është në dobi të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në Europë. Duhet një bashkëpunim komplementues në zbatim të detyrimeve kushtetuese në parim me ato pozita në njohje dhe pozitat ndërkombëtare.

Edi Rama është kthyer në qëndrimin fillestar “aktor dhe jo aktiv”. Kosova është vetë aktore e fatit të saj si shtet i pavarur dhe sovran, Shqipëria duhet të jetë aktive. Shqipëria duhet të mbështesë forcimin e shtetit të Kosovës dhe shtetformimin e saj, duke ndikuar në forcimin e narrativës së saj ndërkombëtarisht drejt integrimit.

Edi Rama ka vendosur një konflikt të thellë dhe të dëmshëm me kryeministrat e shtetit të Kosovës, të kaluar dhe aktual.

Qëndrimi i Partisë Demokratike ndaj Marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë

Partia Demokratike nuk do të bëjë show pa substancë bashkëpunimi. Ajo nuk do të lejojë që ndjeshmëria që kanë shqiptarët për marrëdhënien Shqipëri–Kosovë, të shndërrohet në show personal të Edi Ramës. PD do të ketë marrëdhënie me institucionet shtetërore të Kosovës, sepse të gjithë janë të dobishëm për Kosovën. PD nuk do të lejojë që çështja e marrëdhënies Shqipëri-Kosovë të shndërrohet në një spektakël pa substancë.

Përpjekjet do të kenë një qëllim kombëtar: ndihmimin e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe mbrojtjen e historisë së lavdishme të UÇK. PD beson dhe do të vazhdojë të besojë në pafajsinë e UÇK dhe nuk do të lejojë që mbi historinë e saj të lavdishme të hidhet balta e synuar nga Beogradi dhe Rusia.