Bilanci i ‘Rilindjes’ në Korçë dhe Ersekë
Amarildo Veizi – Anëtar i Departamentit Brain Gain PD
Qytetet e Ersekës dhe Korçës, të njohura për trashëgiminë kulturore, natyrën e pasur dhe historinë e tyre të pasur, kanë kaluar sfida të shumta në dekadat e fundit. Pas vitit 2013, ndryshimet në strukturën e pushtetit vendor dhe lokal, si dhe fenomenet ekonomike dhe sociale, kanë nxjerrë në pah një sërë problematikash të ndërlidhura.
Ndër këto, shpopullimi mbetet një nga plagët më të mëdha që po përjetojnë këto qytete, me pasoja të thella ekonomike, sociale dhe kulturore, si hallka kryesore për funksionimin e të gjithë sektorëve të tjerë të ndërlidhur.
11 vite nga e thëna në të bërë shtrohet pyetja, a kanë “rilindur” me të vërtetë këto qytete?
Rrethi i Kolonjës është një nga zonat më piktoreske dhe historikisht të rëndësishme të Shqipërisë, i pozicionuar në juglindje të vendit, me Ersekën si qendër administrative. Me një sipërfaqe të madhe dhe një popullsi relativisht të vogël, le të ndalemi pak te popullsia, si barometri kryesor i presionit qeveritar, që për hir të së vërtetës, ka pasur të gjitha asetet në dorë për ta rilindur.
Në vitin 2013, popullsia e rrethit të Kolonjës mendohet të ketë qënë përafërsisht 27 mije banorë, ose 7.3% të popullsisë së qarkut. Në qytetet numëroheshin gjithsej 12,840 banorë, të ndarë sipas qyteteve: Ersekë 9,966 banorë dhe Leskovik 2,874 banorë. Në zonat rurale numëroheshin 13,695 banorë. Në krahasim me vitin 2007, në vitin 2008 popullsia si qark ishte rritur me 2,172 banorë, ose 0.6%, ndërsa rrethi i Kolonjës ka pasur një ulje prej 0.2%.
Në vitin 2023, sipas statistikave të INSTAT për qarkun e Korçës, ekzaktësisht Bashkia Kolonjë, shënon një numër popullsie prej 7,519. Pikërisht duke nisur nga kjo, kuptojmë se ka pasur jo vetëm një bllokim të sistemit ekonomik që ka detyruar popullsine të migrojë apo emigrojë por heqjen e mundësisë që të rinjtë të zgjedhin këtë qytet për të vazhduar apo ndërtuar jeten.
Shkolla 9-vjeçare “P. K. Negovani” dhe ajo e arsimit të mesëm “P.N. Luarasi” , që prej kohës së pandemisë, numërojnë jo më shumë se 15-18 nxënës në klasë, jo më shumë se 3 klasa paralele për çdo vit shkollor, kundrejt statistikave të regjistruara sipas Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku kanë qenë plot afro 1600 nxënës të regjistruar në vitin 2013, vetëm në asokohe Bashkia e Ersekës, që do të merrte emrin tjetër me ndarjen administrative si Bashkia Kolonjë.
Përveç emigracionit, që ka përjetuar një zhvendosje të konsiderueshme të banorëve drejt qyteteve, çka ka çuar në braktisjen ose popullimin e pakët të fshatrave. Si rezultat, zona ka mbetur me densitetin më të ulët të popullsisë në shkallë kombëtare. Për shkak të izolimit gjeografik, mungesa e investimeve dhe hapja e bizneseve mbetet e kufizuar, duke krijuar pak mundësi punësimi. Këto sfida mund të kapërceheshin përmes krijimit të ndërmarrjeve fason, fabrikave për përpunimin e qumështit dhe aktiviteteve të tjera që mbështesin zhvillimin ekonomik lokal.
Nuk kanë munguar fondet për investimet ku “Rilindja” (sheshi qendror i Ersekës), që nuk rilindi jetën e banorëve, filloi rinovimin në vitin 2014, me një kosto prej rreth 470,000 euro. Në vitin 2016 u shtua edhe një projekt tjetër për rikonstruksionin e fasadave që rrethojnë sheshin, i cili kushtoi 417,000 euro.
Investimi total prej 881,000 euro u realizua gjatë këtyre viteve. Megjithatë, e dukshme nga banorët, shprehen pakënaqësia, duke theksuar se këto projekte nuk adresuan një nevojë më të madhe dhe urgjente për ta: furnizimin e qëndrueshëm me ujë të pijshëm. Sipas tyre, kjo problematikë ishte shumë më e rëndësishme sesa përmirësimi estetik i qendrës.
Edhe pse hapësira është zbukuruar me pllaka guri, pemë kumbulle dhe fasada të reja, përditshmëria e banorëve ka mbetur e pandryshuar. Duke “u fshehur pas gishtit,” ky rindërtim do të mbulonte problematikat reale ekonomike të qytetit, nderkoh që cdo ditë që kalon,
Sheshi është i rrethuar nga ndërtesa e bashkisë në njërën anë dhe Pallati i Kulturës së bashku me disa ndërtesa private në anën tjetër, duke krijuar një zonë të mbyllur që izolon pamjen e pjesës tjetër të qytetit. Jashtë kësaj qendre të rinovuar qëndrojnë rrugët e amortizuara dhe fasadat e pallateve të vjetra të Ersekës, që mbeten dëshmi e gjendjes reale të infrastrukturës së qytetit.
I pandryshuar ka mbetur “shpëtimi” i banorëve që drejtohen në malin e Gramozit, ku sigurojnë jetesën prej mbledhjes së bimëve medicinale.
Në vitet e fundit, kultivimi dhe grumbullimi i bimëve medicinale në malin e Gramozit është kthyer në një mundësi të rëndësishme për sigurimin e të ardhurave për banorët, duke shërbyer si një alternativë e vlefshme përballë sfidave ekonomike.
Në zonën e Leskovikut, ndonëse potencialet turistike janë të mëdha, mungesa e infrastrukturës dhe distanca nga qendrat kryesore urbane kanë penguar zhvillimin e tyre. Ndërkohë, tradita e vreshtarisë dhe prodhimit artizanal të verës mbetet pjesë e identitetit lokal. Për shumë banorë, mbledhja e bimëve medicinale në Gramoz vijon të jetë “shpëtimi” i përditshëm, ndërsa emigracioni masiv drejt Greqisë, vendeve të tjera europiane dhe kryeqytetit vazhdon të largojë të rinjtë, që shpesh e shohin kthimin si një opsion të largët.
Hapja e një biznesi, (në qoftë se jo me qëllime të shërbimeve turistike që gërshetohet me bukurinë e rrethit të Kolonjës) është jo vetëm e vështirë, por në kufijtë e të pamundurës, ku bizneset më shumë kanë tendencë për t’u mbyllur, në krahasim me numrin e atyre që hapen.
Rruga e re që lidh qytetin e Korçës me atë të Ersekës, një investim prej 72 milionë eurosh për 35 kilometra gjatësi, u përball me një problem serioz pak ditë para përurimit, kur një segment i saj u shemb. Fatmirësisht, incidenti nuk shkaktoi pasoja në njerëz, por çoi në një shtesë prej 4.2 milionë eurosh për rindërtimin e të njëjtit segment që sapo ishte përfunduar. Ndërkohë, përgjegjësia për shembjen mbeti e paqartë, duke e lënë fajin “jetim”.
Teksa rruga na çon në qytetin kryesor të qarkut me të njëjtin emër, Korça, qyteti që frymon kulturë dhe traditë, ka qenë gjithmonë një simbol i përpjekjes dhe qëndrueshmërisë. Mes rrugëve të saj me kalldrëm dhe katedraleve madhështore, ndihen gjurmët e një qytetërimi që i ka dhënë formë identitetit kombëtar.
Sipas të dhënave të Censusit të vitit 2011, Korça kishte një popullsi prej 75,994 banorësh. Dymbëdhjetë vjet më vonë, në vitin 2023, kjo shifër ka rënë në 60,754 banorë. Ky reduktim i ndjeshëm pasqyron një fenomen të përgjithshëm të tkurrjes së popullsisë, që ka prekur në mënyra të ndryshme të gjitha zonat e vendit.
Ndryshe nga të rinjtë e qytetit, ata të zonave rurale shfaqin më tepër interes për t’u punësuar, por e kanë të pamundur të jetojnë në Korçë, pasi shpenzimet janë të larta.
Sipas të dhënave të Drejtorisë Rajonale të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive në Korçë, aktualisht janë të regjistruar mbi 6,000 punëkërkues të papunë, nga të cilët një pjesë e vogël janë të grupmoshës 15-29 vjeç. Në të njëjtën kohë, numri i vendeve të lira të punës është shumë herë më i vogël, kryesisht në sektorin e fasonerisë dhe hoteleri-turizmit, duke treguar një hendek të qartë mes kërkesës së punëdhënësve dhe ofertës së punëkërkuesve.
Në këtë situatë, ku të rinjtë përballen me sfidën e gjetjes së punës, një alternativë që mund të nxisë angazhimin dhe zhvillimin e tyre është promovimi i sipërmarrjeve të vogla dhe zhvillimi i aftësive profesionale në zonat rurale. Për shembull, trajnime praktike në bujqësi të qëndrueshme, artizanat, ose shërbime lokale mund të ndihmojnë të rinjtë të ndërtojnë mundësi brenda komuniteteve të tyre.
Hendeku i krijuar nga ky zinxhir problematikash ka detyruar të rinjtë të largohen duke braktisur kalldrëmet e qytetit ku janë rritur.
Rënia e numrit të studentëve, një fenomen i përhapur në të gjithë Shqipërinë, është ndjerë edhe në Korçë, ku disa programe studimi janë prekur rëndë. Dega e Matematikës ka regjistruar një numër minimal studentësh, ndërsa Frëngjishtja mbetet me një pjesëmarrje shumë të ulët. Situata është më kritike për degën e Ekonomikut, e cila pritet të mbyllet, pasi, sipas ligjit, programet që për disa vite nuk regjistrojnë asnjë student i nënshtrohen vendimit të senatit akademik për pezullim.
Bujqësia, nga ana tjetër, si motori kryesor i qarkut, ka hasur përveçse vështirësive në nxjerrjen maksimale të potencialit të saj, edhe një konkurrencë ndërkombëtare të panevojshme dhe jo të drejtë, sipas vetë fermerëve, të cilët disa herë janë drejtuar me protesta përpara Kuvendit.
Banorët e saj janë të njohur për zgjuarsinë dhe mençurinë e tyre, duke i dhënë jetë shprehjes së urtë korçare: “Paraja nuk mbahet me grusht, po me mend.” Kjo filozofi pasqyron natyrën praktike dhe vizionare të këtij qyteti, që ka ditur gjithmonë të ndërtojë të ardhmen mbi themele të forta.
Importi i produkteve bujqësore nga jashtë ka krijuar një situatë të vështirë për prodhuesit vendas të Korçës, duke lënë pas dore prodhimet e tyre. Fermerët përballen me uljen e shitjeve, çka shpesh i detyron të hedhin prodhimet e tyre, duke e çuar dëm gjithë mundin e një viti.
Edhe tregtarët ndajnë të njëjtën sfidë, pasi produktet shpesh ju mbeten stok për shkak të kërkesës së ulët. Situata është veçanërisht e rëndë për banorët e rajonit të Korçës, të cilët sigurojnë të ardhurat kryesisht nga tregtimi i produkteve bujqësore. Hyrja e produkteve të importuara ka ulur ndjeshëm fitimet e tyre mujore, duke përkeqësuar gjendjen ekonomike të familjeve.
Në një kohë kur fjala “Rilindje” duhet të mishëronte zhvillimin dhe mirëqenien, realiteti në qytetet si Korça dhe zonat rurale përreth saj ka dëshmuar një paradoks të dhimbshëm.
Në vend të rilindjes, ato përballen me shpopullim, rënie të sektorëve jetikë si bujqësia dhe arsimi, dhe një mungesë të theksuar të politikave mbështetëse për të rinjtë dhe fermerët. Për të adresuar këto problematika, nevojiten masa konkrete që përfshijnë: nxitjen e sipërmarrjeve të vogla për të rinjtë përmes granteve dhe subvencioneve, përmirësimin e infrastrukturës në zonat rurale për të ulur kostot e jetesës dhe rritjen e atraktivitetit të këtyre zonave, dhe mbrojtjen e prodhuesve vendas përmes politikave që kufizojnë importet e panevojshme.
Gjithashtu, një fokus më i madh duhet t’u kushtohet arsimit, duke ofruar programe të mirëfillta që i përshtaten tregut të punës, si dhe duke mbështetur degët e vështira për të garantuar që universitetet të qëndrojnë vatra të vërteta të dijes dhe zhvillimit.
Vetëm me zbatimin e këtyre hapave mund të nisë një rilindje e mirëfilltë, që të jetë më shumë se një slogan bosh dhe të sjellë ndryshim të qëndrueshëm për qytetet dhe banorët e tyre.
Burimet:
VJETARI STATISTIKOR PËR ARSIMIN
https://www.arsimi.gov.al/ëp-content/uploads/2018/08/Vjetari-Statistikor-13-14.pdf
INSTAT Censet e Popullsisë dhe Banesave
https://www.instat.gov.al/al/temat/censet/censet-e-popullsis%C3%AB-dhe-banesave/
Interviste e specialistit te burimeve njerezore
https://youtu.be/qv26TR4OyLc