Betejë absolute përballë kundërshtarit absolut: Parimet dhe shtyllat e saj

Betejë absolute përballë kundërshtarit absolut: Parimet dhe shtyllat e saj

Nga Pranvera Shehaj dhe Andi Mustafaj/

Përpara një kundërshtari absolut, bëhet një betejë absolute

Regjimet anti-demokratike të mbajtura mbi patericat e forta të përtej politikës, si ajo e krimit dhe shkëmbimeve korruptive kombëtare dhe ndërkombëtare, investohen drejtpërdrejt në imponimin e ritmit të zërave kundër. Regjimet të imponohen në ritëm, në mendim, në veprim, në besim, në forcë. Si? Së pari, shumësia e pandërprerë e veprave të krimit dhe skandaleve që përfshijnë eskponentët e pushtetit, e tërheq zërin opozitar në denoncim, por edhe nëse pushteti ka guximtarë përballë, ata rrezikojnë të ngecin aty; së dyti, manipulimi zgjedhor përmes propagandës dhe frikës demoralizon ngritjen e një alternative politike e cila do të mund të zgjidhej dhe votohej; së treti, delegjitimimi i institucioneve të cilat janë të denatyruara në qëllim dhe funksion, demoralizon përmes bindjes se ato janë pronë private e autokratit ndaj aksioni politik aty është nul; së fundmi, koha e gjatë në opozitë, e cila konsolidon apatinë dhe mosbesimin se regjimi thyhet, dobëson dhe zhbën lidhjet e forcës opozitare me mbështetësit e saj, lidhje që pa u ushqyer, me kohën, dobësohen deri sa siç kërkon regjimi, këputen.

Një kundërshtar absolut, Rilindjen dhe Edi Ramën nuk e bën denjësia e të qenurit një parti dhe kundërshtar i fortë në kushtet e një demokracie të mirëfilltë, as aftësia për të kurorëzuar me fitore garat e barabarta zgjedhore. Krejt e kundërta. Ata përballë nesh i bën një kundërshtar absolut konkretizimi i të gjitha karakteristikave të regjimeve autokrate që rreshtuam më lart, të cilat i kanë kushtuar vendit dëme të mëdha, frut i keq i udhëheqjes së autoritarizmit mbi demokracinë, krimit mbi drejtësinë, dhe rënies në një kolaps institucional të shtetit. Fuqi të tilla të përtej politikës, e bënë Rilindjen në 12 vite një kundërshtar absolut në përdorimin e çdo mjeti që justifikon mbajtjen e pushtetit përkundrejt vullnetit qytetar dhe institucional.

Si kudo në botë, edhe tek ne regjia e pushtetit absolut të Rilindjes mund ta çonte nervin opozitar në dy drejtime: ose në një apati veprimi të ndikuar nga bindja e pafuqisë në autokraci, ose në mobilizim për t‘i qëndruar përballë regjimit, duke e kthyer padrejtësinë politike në motor të veprimit. Duke parë gjithçka kemi bërë deri sot, padrejtësia politike ne na mobilizoi në ushtrimin e një trysnie të vazhdueshme përplasjeje ballë për ballë me kundërshtarin. Megjithatë, duke vepruar të udhëhequr nga ndjenja e padrejtësisë, fokusi ynë i veprimit ka rrezikuar dhe rrezikon të bjerrë energjinë e madhe të akumular vetëm dhe ekskluzivisht në përplasje dhe ballafaqim me pushtetin nëpërmjet denoncimit dhe demaskimit të skandaleve të krimit dhe korrupsionit, duke na mohuar kohën dhe përqendrimin në strategji të mirëfilltë gjithëpërfshirëse.

Është si një kurth ku pasioni mbizotëron arsyen, hakmarrja për të rivendosur drejtësinë që kushtet e demokracisë mbartin me vete, i mbivendoset gjakftohtësisë për të menduar dhe vepruar strategjikisht. Ngecur në këtë grackë të imponuar nga ritmi i skandaleve dhe ky verbërim për të çmontuar secilin prej tyre, rrezikohet që ritmi ynë të jetë imponuar nga pushteti absolut, ai të cilit i qëndrojmë përballë, ndërsa ne të jemi profilizuar vetëm në rolin e viktimës që pëson krimet elektorale, korruptive dhe institucionale, pa patur fuqi të bëjë më shumë se denoncimi. Efekti në perceptim rrezikon të jetë akoma më kundërintuitiv: rrënjosja në mendjen e qytetarëve se ata janë të fortët absolutë dhe pushteti është shumë i hekurt për t‘u thyer.

Kostoja më e madhe në krahun opozitar në këtë rast bie mbi ekipin, burimet njerëzore dhe mbështetësit aktivë të saj. Duke e përqendruar aksionin politik në denoncim dhe protestë në skenën qëndrore dhe të blinduar të ekzekutimit të pushtetit, në Tiranë, demokratëve që do të mund të përfshiheshin nga aty ku janë, por që nuk kanë domosdoshmërisht profilin e qytetarit që denoncon apo përplaset në rrugë me shtetin policor, u mohohet angazhimi dhe kontributi në aksionin opozitar kundër pushtetit.

Parimet e një beteje absolute

Përpara një kundërshtari absolut, bëhet një betejë absolute. Kjo betejë, në gjykimin tonë thërret nevojën e një strategjie që të ketë për emërues jo vetëm ata, jo vetëm të keqen, por edhe, dhe mbi të gjithë ne, mbështetësit tanë, burimet tona katërcipërore dhe mobilizimin e tyre të përshtatur në të gjitha frontet, një betejë e mbështetur mbi disa parime orientuese.

Së pari, që beteja të jetë absolute, ajo duhet të zhvillohet në të gjitha drejtimet ku ka mundësi veprimi në bashkëkohësi. Kjo nënkupton një betejë politike të gjithanshme, në drejtime që ecin paralelisht dhe në të njëjtën kohë, pa iu mbivendosur njëri-tjetrit, pa e pasuar njëri-tjetrin.  Zhvillimi i betejës politike në të gjitha drejtimet është parakusht më së shumti edhe për përgatitjen e terrenit për ndërtimin e alternativës. Të bashkuar në dakordësinë dhe përjetimin e realitetit politik të një regjimi autokrat, ne sigurojmë shumësinë në kundërshti, jemi bashkë si demokratë e çdo ditë e më shumë si shqiptarë kundër autokratit dhe enturazhit të tij brenda dhe jashtë kabinetit. Por, a mjafton kjo shumësi përbashkuese përkundrejt një emëruesi negativ? Cila është pamja e parë që do të shohim kur ta kemi fituar betejën kundër atij që na bën bashkë? Janë pyetje të cilave nëse nuk u paraprihet në mendim dhe plan veprimi në disa drejtime përtej denoncimit dhe protestës, sinjalizojnë një goditje të madhe ndaj shpresës së shqiptarëve, besimit që PD insiston të marrë prej tyre, një goditje për demokracinë dhe premtimin për të nesërmen pa autokratin.

Së dyti, beteja jonë duhet të jetë absolute në përfshirjen e burimeve njerëzore dhe mbështetësve të Partisë Demokratike. Një parim themelor që e ushqen këtë gjithëpërfshirje mund të përkthehej në “Një hapësirë për çdo demokrat”, i cili thërret për gjetjen e mekanizmave dhe strategjisë që angazhojnë anëtarësinë, militantët dhe mbështetësit e PD sipas profilit të tyre. Kjo do të krijonte kushtet që çdo demokrat dhe opozitar të identifikojë dhe ushtrojë rolin e tij brenda PD, duke dhënë më të mirën e vetes për krijimin e dinamikave pozitive. Ndër demokratë ka prej tyre që i imponohen politikës me ide dhe propozime, ka prej tyre që në kontakt me terrenin krijojnë strategji të susksesshme elektorale, të tjerë janë të pazëvendësueshëm në betejën brenda institucioneve, ndërsa të tjerë nuk i tremben ballafaqimit me faktorët e krimit dhe qëndrojnë në vijën e parë të denoncimt dhe protestës. Të gjithë, në rolin e tyre kthehen në të pazëvendësueshëm për qëllimin e përbashkët nëse secili e gjen hapësirën.

Së treti, ndër pasojat më të drejtpërdrejta të pushteteve të zgjatura është ai indirekti mbi lidhjet e forcës opozitare me mbështetësit e saj, dhe më së shumti me bazën e saj militante. Për ta kthyer betejën tonë në absolute, nevojitet ndryshimi i paradigmës së mendimit mbi rolin e militantëve. Militanti është etalon i qëndresës dhe kontributit për një parti politike, po aq sa simbol i stoicizmit përpos fatit të betejës, ndërsa shembulli i pakundërshtueshëm dhe më i madh i forcës dhe rëndësisë së tyre, u vërejt gjatë procesit të Foltores dhe Rithemelimit që pasoi. Kjo duhet të na orientojë drejt qendërzimit të rolit të militantit dhe rretheve në strategjinë drejt fitores. Ndaj parimi i tretë që udhëzon një betejë absolute përmblidhet në “Militanti është çelësi, rrethi është dera” drejt qëllimit përfundimtar.

Katër shtyllat e një beteje absolute

Përpara një kundërshtari absolut, bëhet një betejë absolute. Vendosur në këtë postulat mendimi, aksioni politik i Partisë Demokratike, e cila mban sot peshën e rëndë të devijimit të vendit nga rrëshkitja përfundimtare në diktaturën e pakicës, duhet të jetë një sinergii veprimi në katër boshte, katër shtylla të cilat duhet të ndajnë mes tyre në bashkëkohësi dhe intensitet gjithë potencialin njerëzor të Partisë Demokratike, brenda dhe jashtë Shqipërisë, të mobilizuar në një luftë me katër fronte: (I) Denoncim dhe protestë; (II) Propozim, ide dhe alternativë; (III) Betejë institucionale; (IV) Qendërzim i rolit të militantëve në terren.

(I) Denoncim dhe Protestë. Duke qëndruar në vijën e parë të kundërshtimit faktik të pushtetit, PD ka kryer deri më sot në plotkumtësinë e tij një prej roleve thelbësore të opozitës, atë të mbajtjes së një trysnie të vazhdueshme mbi qeverinë duke kufizuar përshkallëzimin e skandaleve të saj. Ky rol i ka mundësuar njëkohësisht konsolidimin e besimit në shoqërinë shqiptare se në çdo rast si forcë opozitare do t‘i ndëshkonte ato qoftë në rrugë institucionale, përmes kanaleve politike konvencionale, qoftë në rrugë extra-institucionale, përmes protestave. Krahas prioritetit që PD i ka dhënë deri më sot denoncimit si mekanizëm i përballjes dhëmbë për dhëmbë me pushtetin, ka dy aspekte që mund ta intensifikojnë efektin e kësaj shtylle. Së pari, përqendrimi në faktorë të kompromentuar me pushtetin të asaj që njihet si oligarkia ekonomike. PD duhet të dëshmojë më shumë fokus, guxim, paanësi dhe persistencë në këtë drejtim. Së dyti, një tjetër nevojë që do të përmirësonte dhe  intensifikonte efektin e kësaj shtylle në zemër të regjimit, pikërisht tek tjetërsimi i votës, është ai i zhvillimit të shyllës së denoncimit deri në nivel krejtësisht lokal: nëpërmjet denoncimit dhe demaskimit publik të kriminelëve elektoralë me identitet të plotë.

(II) Propozim, ide, alternativë. Shtylla e dytë e veprimtarisë sonë është ajo e propozimit, idesë dhe alternativës, krijimit dhe jetëzimit të diçkaje që na bën bashkë në një perspektivë pozitiviste, jetëzimi dhe rritja e një vizioni, e një modeli, e një shprese, e një projekti të madh. Kjo arrihet nëpërmjet ndërtimit të një alternative të mirëfilltë për shteformimin, qeverisjen, hallkat e saj dhe gjithë sektorët në vend. Kjo konkretizohet në një program që kombinon idetë dhe propozimet e ekspertëve, vullnetarëve intelektualë brenda dhe jashtë vendit, me përvojën dhe pjekurinë politike të figurave qëndrore në vendimmarrje ndër vite në PD në opozitë apo qeverisje (sipas qasjes së Lidhjes midis Brezave). Pa nënvlerësuar potencialin intelektual të mbetur ende në vend, duhet të investohemi katërcipërisht në krijimin e kushteve për afrimin e potencialit intelektual jashtë vendit, të rinj dhe jo vetëm, akademikë, profesionistë dhe sipërmarrës që mund të angazhohen në këtë fazë politikisht përmes propozimeve në fushat përkatëse. Propozimi dhe alternativa synojnë në radhë të parë të forcojë lidhjet e brendshme brenda strukturës, për të ditur se ku duam të shkojmë bashkërisht. Pa këtë lidhje të fortë është e pamundur krijimi i shpresës jashtë. Mirëpo shpresa është motori më i fortë për të rrëzuar regjimet autokratike.

(III) Betejë institucionale. Qëndrimi faktik brenda shinave institucionale është parakusht për ruajtjen e legjitimitetit deri ditën e zgjedhjeve. Ky është postulat i rëndësishëm i provuar në shtete me të njëjtat nuanca diktatoriale si Shqipëria sot. Zhvillimi i betejës institucionale, edhe kur institucionet janë të denatyruara në funksion dhe qëllim, nuk është vetëm besnikëri ndaj filozofisë sonë ideologjike për qasjen institucionale në politikëbërje, por përmbushje e përgjegjësisë si të deleguar në parlament, ashtu sikurse respektim i nevojës që vetë institucionet të ushtrojnë rolin e tyre, kontribut madhor në të cilin ka vetë PD. Beteja jonë institucionale, nëpërmjet angazhimit të personaliteteve të PD që kanë aksesin dhe mundësinë për zhvillimin e saj, ashtu si më së shumti deri më sot, duhet të konkretizohet pa ndërprerje në pjesëmarrje aq më shumë në parlament, përmes dërgesës së amendamenteve, projektligjeve etj., në komisionet hetimore dhe çdo seancë plenare, e jo vetëm. Më tej, e ashtuquajtura strategji institucionale, mund të eksportohet jashtë kufijve, si një ndërthurje me ose në funksion të shtyllës së parë, për përçimin e kauzave tona politike dhe denoncimeve në institucionet ndërkombëtare. Një shembull, mund të ishte delegimi i deputetëve të caktuar në Bruksel dhe Strasburg më së pakti për realizimin e takimeve direkte, qoftë edhe rastësore dhe si qytetarë të thjeshtë e jo domosdoshmërisht në formë protokollare me deputetë të Parlamentit Europian apo funksionarë të tjerë të institucioneve të BE.

(IV) Militanti, në qendër të betejës. Shtylla e katërt lidhet ngushtësisht me parimin e tretë të betejës absolute: “Militanti është çelësi, rrethi është dera”. Qendërzimi i rolit të anëtarëve dhe militantëve bëhet duke iu deleguar atyre përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për zbritjen e alternativës politike të PD në terren. Kjo nënkupton jetëzimin e një marrëdhënieje të re me militantin që vetë ai të krijojë një marrëdhënie të re me qytetarin, duke u bërë përçues dhe testues i alternativës sonë politike. Peshës reale që kanë militantët në përballje me bandat e regjimit, duhet t’i jepet valenca e duhur, dhe kjo arrihet duke i deleguar militantit rolin kyç të zgjatimit të PD në terren, rolin e testimit në terren të propozimeve të ofertës sonë elektorale, mbledhjes së informacionit dhe feedbak-ut të qytetarëve, dhe rikthimin e këtij informacioni pranë strukturave të PD dhe kryesisë, informacion ky që i analizuar do të krijonte sinergjinë mes programit dhe strategjisë elektorale. Përmes qendërzimit, vlerësimit dhe delegimit të punës së militantëve në terren, vihet në jetë mekanizmi për imponimin e idesë së një programi nga shqiptarët për shqiptarët, ku oferta jonë del si përgjigje e drejtpërdrejtë, konkrete, e prekshme e problematikave të shqiptarëve, mekanizëm në të cilin militanti ka rolin e çelësit për efektshmërinë e tij.

Mbyllje

Intensifikimi i veprimit politik në të katër drejtimet do t‘i siguronte terrenin e nevojshëm demokratit që gjen veten në protestë, atij që e kalon kontributin e tij përmes idesë dhe propozimit, figurave me profil të mirëfilltë institucional, dhe në fund demokratit që ka peshë të mirëfilltë elektorale në militantizëm. Me rëndësi për maksimalizimin e veprimtarisë së secilës shtyllë është shpërndarja e njerëzve të angazhuar në të gjitha drejtimet dhe shmangia e angazhimit të të njëjtëve demokratë në disa ose të gjitha shtyllat.
Goditjet pa kursim të pushtetit mbi PD së paku tre vitet e fundit, ku qëndresa e demokratëve iu mbivendos çdo faktori kundër, kanë kalitur personalitete të fuqishme politike duke pasuruar Partinë Demokratike me burime njerëzore si rrallë më parë. E vetmja sfidë mbetet identifikimi i tyre kudo në Shqipëri dhe jashtë saj dhe lënia hapur e secilës prej katër dyerve, të katërta në shërbim të qëllimit të përbashkët: rrëzimi i autokracisë moderne, pasuar nga imponimi i një vizioni dhe implementimi i një modeli të denjë për betejën e zhvilluar, të denjë për vendin.