Shkencë & Inovacion: Përmes taksave, rrugë zhvillimi edhe në Shqipëri

Shkencë & Inovacion: Përmes taksave, rrugë zhvillimi edhe në Shqipëri

Pranvera Shehaj – Anëtare e Departamentit Brain Gain, Partia Demokratike

E njohur si motorr i zhvillimit kombëtar dhe ndërkombëtar, ekonomia e inovacionit është sot torta për të cilën konkurrojnë shtetet e zhvilluara të globit. Performanca ekonomike dhe premisat për progres ekonomik, në filozofinë e shteteve si Gjermania, Belgjika, Zvicra, Shtetet e Bashkuara e më gjerë, kushtëzohet nga aktiviteti inovativ në vend, i njohur ndërkombëtarisht si Research & Development (R&D), e shqipëruar Kërkim dhe Zhvillim. Akademikë dhe ekspertë të përfshirë në këtë fushë, e njohin mirë debatin faktik sot në botën perëndimore mbi atë çka e bën një vend të përkufizohet e klasifikohet si inovativ. Më së shumti është ky diskutim qëndror dhe aktual në politikat fiskale dhe ato të taksimit. A munden politikat e taksimit të stimulojnë inovacionin dhe R&D, e nëse po çfarë e përcakton efektivitetin e tyre?

Stimujt tatimorë për inovacionin dhe kërkimin shkencor (të njohur si tax incentives) klasifikohen në dy grupe: stimuj tatimorë të bazuar në të ardhura (income-based tax incentives) dhe stimuj tatimorë të bazuar në shpenzime (expenditure-based tax incentives). Të parët, edhe pse disa llojesh, përfaqësohen më së shumti nga ai që njihet si regjimi IP (IP regime) ose “Kutia IP” (IP Box), e cila konsiston në një politikë tatimore me një normë të tatimit mbi të ardhurat e korporatës të reduktuar – shpesh deri në 0% – për të ardhurat e gjeneruara nga shitja dhe përdorimi i pronës intelektuale (IP) (si psh. patenta, brand, trademark, etj.). Aktualisht janë 13 vende të Bashkimit Europian të cilat kanë implementuar regjimin IP në sistemet e tyre tatimore. Ndërsa vendet elitare konsiderojnë si tregues inovacioni kryesisht sasinë e shpenzimeve që kompanitë hedhin në vendet e tyre për kërkim dhe zhvillim, shumë prej tyre u kthyen në vende inovatore fillimisht duke u bërë tërheqëse në aspektin fiskal përmes politikës “IP Box“. Përdorimi i stimujve tatimorë për të tërhequr aktivitet inovativ ndërkombëtar mund të ishte një alternativë e përshtatur me kufizimet si buxhetore ashtu edhe infrastrukturore të Shqipërisë, po aq sa e përshtatur me të drejtën që ka ky vend për ta çuar vizionin e zhvillimit përtej industrive primare. Me 0% tatim mbi të ardhurat e korporatave kur këto të ardhura vijnë nga përdorimi i pronësisë intelektuale, Shqipëria do t‘i bashkohej 13 shteteve të BE-së të cilat e kanë aplikuar këtë politikë si mekanizëm për të tërhequr aktivitetin inovativ të kompanive shumëkombëshe.

Përpos studimeve të shumta teorike dhe empirike të cilat dëshmojnë një efekt pozitiv të Kutisë IP mbi numrin e pronave intelektuale (IP), çka nëse do të pranojmë se numri i pronave intelektuale është një tregues i inovacionit, vërtetojnë se Kutia IP nxit inovacionin, sërish vihet në pah një problematikë. Kompanitë ndërkombëtare përmes strukturave të tyre të operimit, mund të shfrytëzojnë filialet e tyre në vende me Kuti IP për të regjistruar pronat intelektuale, ndërkohë që kryejnë aktivitetin e vërtetë të kërkim-zhvillimit dhe pozicionojnë shpenzimet e tyre në vende të zhvilluara me infrastrukturën e duhur për të kryer R&D. Logjikisht, kjo e shndërron shtetin me Kuti IP në një parajsë fiskale të shfrytëzuar vetëm për taksë të ulët mbi të ardhurat nga prona intelektuale, por jo për kërkim & zhvillim faktik me më shumë shpenzime dhe njerëz të punësuar. Për ta adresuar këtë kundërefekt, OECD ka implementuar atë që njihet si “nexus approach for IP regimes”, çka siguron që kompanitë shumëkombëshe të IP-së që zgjedhin të transferojnë aktivitetin e kërkimit dhe zhvillimit te kompanitë e tjera të grupit nuk ka gjasa të përfitojnë nga normat e reduktuara të taksave mbi të ardhurat nga IP, nëse kompania nuk dëshmon një “nexus”, që do të thotë kosto të shpenzuara në shtetin ku regjistron IP e ku pretendon taksimin nën kutinë IP. Edhe pa qenë anëtare e OECD-së, përmes aplikimit a priori të nexus approach Shqipëria mund të prezantohej për investitorët në fushën e R&D jo si një hambar i shfrytëzimit për shmangien të taksave, por si vend me stimuj fiskalë të mirërregulluar që targetojnë qartazi inovacion faktik përmes një klime fiskale lehtësuese. Përveç heqjes dorë nga mbledhja e të ardhurave tatimore nga shitja dhe përdorimi i pronave intelektuale (edhe pse jo domethënëse në vendin tonë), e cila sipas matjeve empirike do të kompensohej nga rritja e aktivitetit ekonomik në kërkim dhe zhvillim, implementimi i kutisë IP në Shqipëri nuk duket se ka pengesë tjetër thelbësore.

Më shumë inovacion do të thotë më shumë shkencë, e më shumë shkencë do të thotë më shumë burime njerëzore të investuara intelektualisht dhe profesionalisht në R&D. R&D, si çelës i zhvillimit shkencor dhe inovacionit në vendet promotore të zhvillimit ekonomik global, konsiderohet si shkalla më e lartë e zinxhirit ekonomik, e kjo vlen për kompanitë private ashtu sikurse për sektorin publik dhe akademinë. Për këtë arsye ndër kompani dhe institucione shtetërore, punonjësit në profilin e R&D janë ndër më të shpërblyerit profesionalisht. Për të nxitur dhe mbështetur “trurin” e kombit, për shkak të burimeve ekonomike të limituara, të cilat në të kundërt do të mundësonin rritjen e pagave për këtë sektor, një tjetër politikë alternative e shpejtë dhe efektive do të ishte reduktimi i taksës mbi të ardhurat për të punësuarit me grada të larta profesionale e shkencore të cilët janë të punësuar në kompani shqiptare ose të huaja, si dhe në institute kërkimore dhe akademi, në sektorin dhe departamentin e kërkimit shkencor (R&D). Efekti do të ishte së pari simbolik dhe sinjalizues përkundrejt nxitjes për t‘u investuar intelektualisht në eskpertizë të thelluar për kërkim dhe zhvillim në fusha të ndryshme. Së dyti, në mungesë të forcës monetare për ta diferencuar trurin e kombit dhe burimet njerëzore në shkencë dhe inovacion përmes pagave më të larta, së paku, politikat tatimore do të mund të krijonin qoftë edhe modestisht diferencimin e punonjësve në sektorin R&D nga hallkat e tjera të tregut të punës.

Së fundmi, katastrofa ekonomike që do të trashëgonim prej 2025-ës dhe vetmia demoralizuese në të cilën largimi i studentëve dhe ekselencës ka lënë katedrat universitare, më bën e na bën të pafuqishëm për të menduar se si do të mundeshin politika përtej atyre fiskale të ndihmonin Shqipërinë në ndërtimin e një fizionomie mirëpritëse për zhvillimin e shkencës dhe inovacionit. Kjo nuk do të thotë se nuk mund të mbajmë mbi supe peshën dhe përgjegjësinë patriotike të rimëkëmbjes përtej kushteve të mundura e të pamundura. Edhe me hijen fataliste që ka sot akademia e shkencave dhe universitetet në Shqipëri, një qeveri e zotuar për rimëkëmbje nuk duhet të reshtë së kërkuari zhvillimin e vendit aty ku përket, ndër katedra universitare. Një akt fillestar do të mund të ishin grantet për kërkim dhe zhvillim (R&D) në universitetet shtetërore sidomos në fushat kryesore për zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të vendit, si pjesë e rëndësishme e shpenzimeve qeveritare.

Më shumë përkrahje dhe investim qeveritar për mendjen, më shumë shpresë për ekonominë, më shumë pasuri për kombin, më shumë vizion për një Shqipëri përtej materies.

Shënim: Ftoj lexuesin të konsultojë një studim të mirëfilltë shkencor mbi taksat dhe inovacionin.
https://link.springer.com/article/10.1007/s10797-023-09812-x