Rrugica e Shpreses

Në një histori të pa shembull në rrugëtimin demokratik të Shqipërisë, pas 333 ditësh izolimi të paligjshëm dhe antikushtetues në arrest shtëpie, më 27 nëntor 2024, Kryetari i Partisë Demokratike, z. Sali Berisha, rifitoi lirinë. Kjo fitore e së drejtës kthehet sot në frymëzim për të gjithë ata që në këto muaj të vështirë nuk ndalën së luftuari kundër padrejtësisë dhe shtypjes politike, si për të treguar se nga kauzat nuk hiqet dorë kur ato janë ngushtësisht të lidhura me të vërtetën.

Brenda mënyrës dhe gjykimit të tij, Departamenti Brain Gain kreu aktin e parë simbolik të asaj që në 332 ditët që do të pasonin do të ishte vlera përbashkuese e demokratëve dhe shqiptarëve, qëndresa. Në natën e parë të dhënies së urdhrit të arrestimit të z. Berisha, ne treguam që jemi më shumë sesa një grup pune, jemi një zë i fuqishëm i opozitës së re dhe një shembull i angazhimit aktiv qytetar. Në natën e 30 dhjetorit 2023, kur shumëkush i harruar në zhurmën e festave, mbylli veshët ndaj këmbanës që ra për gjithë vendin, për lirinë, për demokracinë, Departamenti Brain Gain organizoi një mbledhje urgjente në Selinë e Partisë Demokratike.

Në Sallën Pjetër Arbnori, frymëzuar nga ky personalitet nderi i Partisë Demokratike, si simbol i triumfit në të cilin çon qëndresa edhe kur je një i vetëm, ne zhvilluam një mbledhje intensive disa orëshe, e cila shërbeu për mobilizimin tonë: analizuam situatën, ndamë strategjitë dhe vendosëm të veprojmë. Pas kësaj mbledhjeje, në orët e vona të natës, shkuam bashkarisht poshtë banesës së z. Berisha, duke dëshmuar bindjen tonë për të mos u pajtuar me padrejtësinë dhe goditjen politike, mbështetjen tonë ndaj z. Berisha dhe duke manifestuar një akt proteste përkundrejt goditjes së paprecedentë në historinë demokratike të vendit ndaj një force opozitare. Në atë natë nuk e dinim se në 332 ditët që pasonin, aktit tonë të protestës do t‘i bashkoheshin demokratët, shqiptarët, në të njëjtën rrugë, çdo natë.

Rezistenca nuk përfundoi aty. Me një vendosmëri që sfidonte lodhjen dhe orët e vona, u rikthyem në Selinë e PD-së, ku përmes një transmetimi të drejtpërdrejtë të Podcastit ‘Zërat’, që zgjati deri në orët e para të mëngjesit, ndamë me publikun mesazhin tonë të fuqishëm: kjo nuk është vetëm një betejë për një njeri, por për të gjithë ata që besojnë në demokracinë dhe lirinë. Diskutimet tona u përqendruan te hapat që duheshin ndërmarrë për të ndërtuar një strategji afatgjatë për të mbrojtur të drejtat e opozitës dhe për të garantuar që raste të tilla të mos përsëriten.

Falë përfshirjes së anëtarëve tanë brenda dhe jashtë vendit, pa lënë në asnjë çast misionin e punës sonë brenda Partisë Demokratike, për çdo nga 332 ditët në vijim, Departamenti Brain Gain qëndroi krah demokratëve në protestën e Rrugës së Shpresës. Herë me pjesëmarrje, herë me fjalime fizikisht, herë me videomesazhe nga mbarë bota, ne ishim aty, pjesë e kësaj beteje të cilën historia do ta njohë edhe më shumë se e tashmja.  Ky departament nuk ishte vetëm një vëzhgues i kësaj periudhe historike, por një aktor kryesor në mobilizimin e forcave demokratike dhe në shpërndarjen e mesazheve që sfiduan propagandën e regjimit. Me propozime, ide dhe projekte konkrete, Brain Gain dëshmoi se është një mekanizëm i fuqishëm për të përçuar frymën e rezistencës dhe për të ndërtuar themelet e një opozite të qëndrueshme.

27 nëntori 2024 është kulmi i kësaj rezistence. Lirimi i z. Berisha ishte një provë se zëri i drejtësisë dhe i opozitës së bashkuar nuk mund të heshtet. Për Departamentin Brain Gain, kjo ditë është një testament i asaj që mund të arrihet kur qëndrojmë të bashkuar dhe të palëkundur ndaj padrejtësisë.

Kapërcimi i sfidave të mëdha lind detyrimin për t’u përballur me sfida më të mëdha se ato që fiton. Liria e z. Berisha nuk duhet të shënojë fundin e betejës, por fillimin e një fushate të pandalshme kundër një regjimi autokrat modern, me qëllim fitoren si e vetmja shpresë për rikthimin e vendit në shinat e demokracisë. Departamenti Brain Gain do të vazhdojë të jetë aty, si një zë i guximshëm po aq sa shembull i fuqisë së organizimit dhe vendosmërisë politike.

Kjo kronologji reflektimi është përforcim i dëshmisë së përfshirjes sonë në këtë rrugëtim 333 ditor të qëndresës së demokratëve për lirimin e liderit të tyre nga arresti politik. Si e tillë, kjo kronologji reflektimi vështirë se ka tjetër përmbyllje mendimi veç asaj që i ka ngulitur vizionit politik në fjalimin e tij përurues presidencial Thomas Jefferson, ati i Deklaratës së Pavarësisë të kombit që më së shumti ka manifestuar lirinë: ‘Edhe kur kemi të drejtë, shpesh do të mendojnë se e kemi gabim, ata që nuk e shohin pamjen e plotë’. Grupimi ynë ishte i bindur në pamjen e plotë prej natës së 30 dhjetorit 2023, natë kur besoi tek e drejta dhe bekimi që ajo mbart me vete për të triumfuar gjithmonë dhe mbi të gjithë.