Departamenti Brain Gain

LIBRI I ZI I RILINDJES

Simbolika

Kur dëgjon për një “Libër të Zi”, mendja të shkon te regjistra të skandaleve, arkiva të errëta të historisë, ku dokumentohen dështimet më të mëdha të një periudhe. Kjo nuk është një përmbledhje e politikave të qeverisë, as një analizë e ftohtë ekonomike – është një dosje akuzuese, një dëshmi që tregon si “Rilindja” – termi që socialistët e përdorën për të simbolizuar epokën e tyre të re – u kthye në një zhgënjim kombëtar. Ngjyra e zezë e titullit nuk është vetëm metaforike; ajo simbolizon mungesën e transparencës, humbjen e shpresës dhe rrugën e errët që Shqipëria ka marrë gjatë kësaj qeverisje.

Motivi

Librat nuk shkruhen rastësisht, dhe ky nuk është një përjashtim. Ai lindi si një nevojë për të mbledhur dhe organizuar në një botim të vetëm të gjitha dështimet e qeverisjes së Edi Ramës. Të shpërndara nëpër lajme, raportime të medias dhe denoncime të opozitës, shumë nga skandalet e përfshira janë të njohura për publikun, por ky libër i vë ato në një kontekst të unifikuar, duke e shndërruar këtë koleksion në një aktakuzë politike.

Gjithçka është e ndërtuar mbi një ide të thjeshtë: që qytetarët shqiptarë duhet të kuptojnë se janë të mashtruar. Ajo që u premtua si një epokë e re e mirëqenies dhe transparencës, ka rezultuar në një epokë manipulimi dhe plaçkitjeje. Shqipëria, në vend që të afrohet me Europën, po boshatiset nga qytetarët e saj. Ata që duhet të ndërtonin të ardhmen këtu, tani e kërkojnë atë në katër cepat e botës, duke lënë pas vendin e tyre.

Qëllimi

Libri është i strukturuar në sektorë të ndryshëm të qeverisjes, ku analizohen problemet kryesore dhe skandalet e ndodhura gjatë qeverisjes socialiste. “Libri i Zi i Rilindjes” përshkruan një Shqipëri të zhytur në korrupsion dhe keqqeverisje, ku emigrimi masiv, varfëria dhe pasiguria sociale janë pasojë e një tregu pune të kapur nga klientelizmi. Rendi dhe siguria të dobësuara nga ndikimi i krimit të organizuar, ndërsa shëndetësia e nënfinancuar dhe e mbushur me afera koncesionare të dyshimta. Arsimi është në rënie, me universitetet që boshatisen dhe kërkimin shkencor të paralizuar, ndërsa ekonomia e pabarabartë, ku taksat e rënda godasin të varfërit, ndërsa oligarkët përfitojnë. Reforma në drejtësi një proces i kapur nga qeveria, politika e jashtme e paorientuar dhe infrastruktura një sektor i mbushur me abuzime. Libri kulmon me një seri skandalesh, ku përmenden inceneratorët, porti i Durrësit dhe kapja e mediave, duke e paraqitur qeverisjen si një regjim të bazuar në korrupsion dhe manipulim.

Përmbajtja

Ky libër nuk është thjesht një pasqyrë e asaj që ka shkuar keq, por një thirrje për të ndërgjegjësuar dhe mobilizuar qytetarët. Ai nuk kërkon vetëm të dokumentojë skandalet, por edhe të ndezë një ndjenjë zemërimi kolektiv kundër qeverisë aktuale. Nëse një qytetar dyshon në ndikimin e krimit në politikë, ky libër kërkon t’i japë prova. Nëse një i ri mendon të emigrojë për një jetë më të mirë, ky libër kërkon t’ia bëjë të qartë pse ka arritur në këtë pikë.

Mbit ë gjitha ky libër synon të furnizojë opozitën me argumente dhe fakte, të cilat mund të përdoren si armë në debatin politik dhe fushatën elektorale. Ai është një dokument i rezistencës politike, një pasqyrë për të treguar se si Shqipëria është menaxhuar në këto vite.

Departamenti BrainGrain
Privacy Overview

Kjo faqe interneti përdor "cookies" në mënyrë që të mund t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i "cookies" ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmimi i ekipit tonë për të kuptuar cilat seksione të faqes i gjeni më të interesueshme dhe të dobishme.