Vlora dhe paradoksi i saj me ujin
Nga Alvi Musaraj
Ajo çka ndodh në Vlorë përbën një veçanti që, pa ekzagjerim, do të meritonte vëmendje në nivel Guinness World Record, një qytet i rrethuar nga deti që nuk ka ujë dimër e verë dhe që, në të njëjtën kohë, përmbytet pothuajse sa herë bie shi. Përtej absurditetit, ky realitet përbën një rast studimor që duhet analizuar nga çdo autoritet publik si shembull se si nuk duhet menaxhuar një qytet.
Në terma të menaxhimit strategjik të infrastrukturës, ajo që ndodh në Vlorë nuk është paradoks natyror, por dështim sistemik i qeverisjes urbane.
Qyteti përballet me dy fenomene që, në teori, duhet të përjashtonin njëri-tjetrin: mungesë uji të pijshëm në verë dhe përmbytje në dimër. Në praktikë, të dyja burojnë nga i njëjti problem bazë: planifikim i shkëputur, investime pa vizion afatgjatë dhe kapacitete të dobëta operacionale.
Sa i takon furnizimit me ujë, Vlora nuk vuan nga mungesa e burimeve. Ka reshje, ka potencial hidrik dhe ka mundësi reale furnizimi. Problemi qëndron te rrjetet e amortizuara, humbjet masive në shpërndarje dhe mungesa e menaxhimit të konsumit sezonal. Gjatë verës, qyteti kalon nga një ekonomi lokale në një mega-konsumator turistik, pa asnjë stress test real të sistemit. Është si të kërkosh nga një startup lokal të përballojë trafikun e një korporate globale pa rritur fuqinë e serverave. Rezultati është i parashikueshëm: kolaps funksional.
Me të njëjtën logjikë, edhe përmbytjet nuk janë pasojë e reshjeve, por e mungesës së kapaciteteve të drenazhimit dhe betonizimit pa kriter. Qyteti ka humbur aftësinë për të thithur dhe kanalizuar ujin sepse është ndërtuar pa respektuar masterplane urbane, korridore natyrore dhe logjikë hidraulike. Në kushtet e reshjeve intensive, sistemi nuk disponon “buffer capacity”, pra uji nuk kanalizohet askund, sepse askush nuk ka planifikuar ku duhet të shkojë.
Ironia është sa brutale aq edhe e thjeshtë: uji që mungon për t’u pirë kthehet në kërcënim sapo bie shi. Kjo tregon qartë se problemi nuk është burimi, por qeverisja, si në nivel lokal, ashtu edhe qendror. Në terma menaxherialë, Vlora funksionon me kapacitete të shpërndara keq, vendimmarrje politike afatshkurtër që zëvendëson analizën teknike afatgjatë dhe mungesë të theksuar të përgjegjësisë në zinxhirin institucional.
Po ta krahasojmë me një komani, kjo situatë do të kategorizohej si keqmenaxhim kronik dhe bordi do të ishte shkarkuar prej kohësh. Në të njëjtën mënyrë, zgjidhja nuk mund të jetë “sjellja e ujit” apo “hapja e kanaleve”, por kërkon audit teknik të plotë, planifikim të integruar dhe investime të bazuara në të dhëna reale, jo në fushatë elektorale.
Nëse trajtohet si problem ekzekutiv dhe jo si debat emocional, zgjidhja është e thjeshtë. Ajo kërkon fokus, disiplinë institucionale dhe sekuencim korrekt të vendimmarrjes.
Për Vlorën, zgjidhja konsiston në një paketë të integruar ndërhyrjesh, të ndara në tre horizonte kohore, me objektiva të matshëm dhe përgjegjësi të qarta.
Faza 1 – Stabilizim operacional
Qëllimi është ndalimi I hemorragjisë. Kjo nënkupton audit teknik të rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve, me fokus te humbjet reale, të cilat në shumë qytete shqiptare arrijnë 50–70%. Paralelisht, kërkohet menaxhim i presionit dhe matje reale e konsumit, veçanërisht në zonat turistike, si dhe ndërhyrje të synuara në pikat kritike të drenazhimit.
Si pasojë e këtyre ndërhyrjeve pritet furnizim më stabil në verë dhe reduktim i përmbytjeve të shpeshta.
Faza 2 – Ristrukturim strukturor
Këtu realizohet ndryshimi thelbësor. Rrjeti i ujit ndahet në zona menaxhimi (DMA – District Metered Areas), me sensorë, monitorim digjital dhe reagim në kohë reale. Kjo është praktikë standarde në qytete funksionale, jo luks. Ndërtohen kapacitete rezervë për sezonin turistik dhe riprojektohet rrjeti i ujërave të bardha, duke ndarë përfundimisht reshjet nga kanalizimet fekale dhe duke rikthyer korridoret natyrore të kullimit.
Faza 3 – Qeverisje dhe parandalim
Kjo është pjesa që politika zakonisht shmang, por është kritike.
Vendosen rregulla ndërtimi të lidhura drejtpërdrejt me kapacitetin hidrik dhe drenazhues. Krijohet një strukturë profesionale për menaxhimin e ujit, e ndarë nga ndikimi politik dhe e bazuar në kontrata performance dhe transparencë publike. Aplikohet koncepti “water-sensitive city”, ku çdo ndërtim i ri kontribuon në absorbim, riciklim ose ruajtje të ujit.
Vlora nuk është viktimë e natyrës. Ajo është viktimë e mënyrës se si është qeverisur. Dhe kjo është një zgjedhje, jo një fat i shkruar nga Zoti.