‘Harta e Problematikave Burrel, MAT’
Nga Neada Stana Anëtare e Departamentit BrainGain
Mati, një trevë e njohur për historinë dhe kontributin e saj në ndërtimin e shtetit shqiptar, sot gjendet përballë një realiteti të dhimbshëm që pasqyron dështimin e politikave të qeverisë aktuale lokale dhe qëndrore. Gjergj Kastrioti Skënderbeu, strategu dhe udhëheqësi legjendar ka rrënjët e tij pikërisht në këto troje. Po ashtu, Mbreti Ahmet Zogu, reformatori që ndërtoi themelet e shtetit Shqiptar vjen nga këto anë, duke dëshmuar rolin e Matit si një djep i lidershipit dhe vizionit për kombin. Me një trashëgimi të tillë, kjo krahinë përfaqëson jo vetëm të kaluarën tonë të lavdishme, por edhe potencialin për një të ardhme të ndritur. Në vend që të shërbejë si model i zhvillimit rural, kjo zonë është kthyer në një dëshmi të qasjes së sipërfaqshme dhe spektaklit bosh që karakterizon politikën e ditës.
Investimet që duhej të garantonin mirëqenien e banorëve të qytetit të Burrelit dhe të gjithë rrethit Mat janë kthyer në fasada për foto dhe postime në rrjete sociale, ndërsa problemet reale mbeten të pazgjidhura. Çfarë rëndësie kanë godinat “e bukura” në një qytet kur ato janë bosh dhe njerëzit nuk shohin të ardhme? Është sikur t’i thuash një pacienti me këmbën e thyer se gjithçka është në rregull, pasi thjesht i ke bere makiazh dhe e ke bërë të duket mirë në foto. Por realiteti mbetet i njëjtë: Mati ka këmbën e thyer dhe nuk ecën dot.
Bujqësia ka zero investime. Banorët e Matit nuk mund të vadisin asnjë metër katror toke gjatë verës, pasi kanalet vaditëse janë të bllokuara me baltë dhe mbetje, pastrimet bëhen vetëm për të postuar në rrjetet sociale për tu dukur se po punohet. Burreli, i njohur si “Qyteti i Mollëve,” mbart një traditë të pasur të kultivimit të këtij fruti, që dikur ishte krenaria e zonës, por sot përballet me sfida nga mungesa e mbështetjes për fermerët dhe braktisja e bujqësisë nga politikat aktuale. Investimet në bujqësi janë zero, fermerët përballen me çmime të larta për farat dhe naftën, ndërsa qeveria kujtohet për ta vetëm për propagandë dhe gjatë zgjedhjeve për tu marrë votat.
“Taksa të larta për shërbime që nuk ekzistojnë”. Taksat janë rritur duke rënduar xhepat e banorëve, ndërsa shërbimet për të cilat paguajnë mungojnë. Në shumë zona nuk ka as kosha mbeturinash, megjithatë taksa e pastrimit është vendosur me cinizëm.
Shpopullimi dhe mbyllja e shkollave. Burreli dhe i gjithë Mati po përjeton një krizë demografike të thellë. Emigracioni masiv dhe largimi i të rinjve kanë çuar në mbylljen e shkollave në shumë fshatra dhe në përgjysmimin e nxënëse në shkollat e qytetit. Në fshatin Rremull për shembull, janë katër nxënës dhe gjashtë mësues, një situatë që reflekton mungesën e një vizioni të qëndrueshëm për arsimin dhe mbajtjen e rinisë në vend.
Trashëgimia kulturore është e lënë në harresë. Megjithëse Mati është një djep i trashëgimisë historike dhe kulturore, monumentet e tij janë lënë në mëshirë të fatit. Dikur një burim krenarie kombëtare, është një tjetër fushë e neglizhuar. Kalatë, vendet arkeologjike dhe monumentet e kulturës janë lënë ashtu të braktisura, ndërsa potenciali turistik i zonës mbetet i pashfrytëzuar. Kjo mungesë vëmendjeje jo vetëm që ul mundësitë për zhvillimin e turizmit, por dëshmon edhe për shpërfilljen ndaj historisë dhe identitetit tonë kombëtar. Burreli, dikur zemra ekonomike dhe kulturore e rrethit të Matit, sot është kthyer në një simbol të braktisjes nga qeverisja e ashtu quajtur rilindje, por un do e quaja një rilindje të harresës dhe shkatërrimit të qëllimshëm.
Politika pa transparencë dhe me korrupsion të lartë. Projektet e pakta që realizohen janë shpesh të mbështjella me mjegullën e mungesës së transparencës. Korrupsioni dhe interesat personale dominojnë vendimmarrjen, duke lënë Burrelin të zhytet më tej në varfëri dhe izolim. Mati ka potencial të jashtëzakonshëm, por ky potencial nuk do të rritet për sa kohë politika aktuale do të vazhdojë të fokusohet në show dhe jo në zgjidhje konkrete. Është koha për një qasje të re, për politika të mirëfillta që e vendosin individin dhe zhvillimin real në qendër të prioriteteve. Vetëm kështu, Mati do të ngrihet sërish dhe do të jetë një model për gjithë Shqipërinë.
Mati nuk ka nevojë për propagandë dhe premtime boshe; ka nevojë për vizion, përkushtim dhe politika konkrete që i japin fund harresës dhe izolimit. Partia Demokratike angazhohet të rikthejë besimin te zhvillimi me një qasje të bazuar në transparencë dhe rezultate. Prioritetet tona për Burrelin, Matin dhe gjithë Shqipërine përfshijnë reabilitimin e rrugëve dhe infrastrukturës, investime të prekshme në bujqësi dhe blegtori, subvencione për fermerët, lehtësime fiskale dhe projekte për rikthimin e jetës në fshatra. Do të garantojmë që fondet publike të përdoren për zhvillim të qëndrueshëm dhe jo për show politik dhe propagandistik, duke përfshirë komunitetin në çdo hap të vendimmarrjes. Ndërsa propagandës i skadon gjithmonë koha, veprat e qëndrueshme mbeten; dhe ne jemi këtu për të ndërtuar një të ardhme ku banorët e Matit të ndihen krenarë për vendin e tyre, jo të detyruar ta braktisin atë.