Fjalimi i Neada Stana tek “Rrugica e Shpresës”
Nga Neada Stana
“Të nderuar bashkëatdhetarë, të rinj dhe të reja, anëtarë të Partisë Demokratike kudo që ndodheni, mirëmbrema. Unë jam Neada Stana, anëtare e Departamentit Brain Gain dhe gjithashtu anëtare e kryesisë së PD-së, dega Mat.
Ne mblidhemi çdo ditë këtu jo vetëm për të treguar solidaritetin tonë ndaj një kryetari të burgosur politik, por edhe për të diskutuar për çështjet që janë thelbësore për të ardhmen e vendit tonë.
Në qendër të diskutimit tim sot janë dy shtylla të rëndësishme për të nesërmen e vendit tonë: rinia dhe mërgata jonë. Rinia shqiptare ka qenë gjithmonë forca dhe motori që shtyn përpara shoqërinë dhe ndryshimin. Në çdo periudhë të vështirë, të rinjtë kanë treguar se janë të gatshëm të luftojnë për idealet e lirisë, demokracisë dhe drejtësisë.
Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë që rinia dhe diaspora të marrin në dorë fatin e tyre dhe të vendit tonë. Kjo kërkon jo vetëm përkushtim, por edhe mundësi për të gjithë – mundësi që, për fat të keq, sot mungojnë në Shqipëri.
Diaspora jonë është dëshmia e gjallë e përpjekjeve të shqiptarëve për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë vendit. Për dekada, shumë prej nesh janë detyruar të largohen nga atdheu, duke kërkuar punë dhe jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre. Shumë prej këtyre njerëzve që janë larguar vitet e fundit janë demokratë, të cilët për vite me radhë kanë luftuar për një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Fatkeqësisht, janë po këta njerëz që janë detyruar të largohen për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe mungesës së mundësive në vendin tonë.
Edhe gjatë periudhës së qeverisjes së PD-së ka pasur emigracion, por shqiptarët largoheshin me ëndrrën për t’u kthyer dhe për të investuar në Shqipëri. Ndërsa sot fenomeni është ndryshe, sepse, fatkeqësisht, shqiptarët largohen për të mos u kthyer më.
Sot, ne duhet të mendojmë për mënyrat se si mund ta rikthejmë këtë pasuri të madhe që është mërgata jonë. Ne duhet të krijojmë një Shqipëri që ofron mundësi, një vend ku të rinjtë mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre pa qenë të detyruar të largohen.
Ne duhet të kemi parasysh se as jashtë Shqipërisë nuk është kaq e lehtë. Jeta në emigracion kërkon sakrifica të mëdha, larg familjes, duke lënë pas vendin tënd dhe gjithçka që të lidh me të. Por, nëse jemi të gatshëm të sakrifikojmë në një vend të huaj, pse të mos e bëjmë këtë sakrificë për vendin tonë? Pse të mos luftojmë për të ndërtuar një të ardhme këtu, pranë familjarëve dhe Atdheut?
Unë flas sot si një e re që jam kthyer në Shqipëri dy vite më parë. Gjatë kësaj kohe, më është dashur të sakrifikoj për t’u stabilizuar. Kam ndërruar katër punë brenda një viti dhe besomëni, nuk ka qenë aspak e thjeshtë. Por, pa sakrificë, nuk ka arritje! Asnjë ditë nuk jam penduar për kthimin tim, edhe pse shumë më thonë se do të pendohem. Është një vendim që e kam marrë me zemër dhe do ta merrja përsëri e përsëri, pavarësisht peripecive.
Në Departamentin Brain Gain, ku tashmë jam angazhuar prej thuajse dy vjetësh, ndjej se po punoj me njerëzit e duhur, që ndajnë të njëjtën filozofi, ideale dhe parime si unë. Këtu, idetë e mia vlerësohen dhe impenjimi im dhe i gjithsecilit anëtar po ashtu, duke na motivuar të punojmë gjithnjë e më shumë, bashkë si një ekip.
Ne jemi të gjithë bashkëluftëtarë në këtë betejë kundër sundimit dhe regjimit aktual, prandaj ju ftoj të na bashkoheni. Bëhuni pjesë e Departamentit Brain Gain dhe PD-së. E di që nuk është e lehtë, por kjo është rruga e vetme. Duhet të bëhemi bashkë, të jemi shumë, sepse vetëm të bashkuar mund të përballojmë sfidat që na presin. Forca jonë qëndron në unitetin tonë. Çdo zë dhe kontribut është i rëndësishëm. Të gjithë së bashku, me vendosmëri dhe kurajo, mund të arrijmë një Shqipëri më të mirë, më të drejtë dhe demokratike.
Një tjetër sfidë e madhe që kemi është përballja me propagandën që po ndodh nëpërmjet mediave të kontrolluara nga regjimi aktual. Ka shumë shqiptarë në mërgim që e shohin Shqipërinë vetëm përmes filtrit të kësaj propagande, duke menduar se gjithçka është në rregull, se vendi ynë është në zhvillim e sipër. Por realiteti është i ndryshëm. Ekonomia jonë është në vështirësi, shërbimi shëndetësor është në kolaps, dhe arsimi është larg standardeve që duhet të ketë.
Ne, si Partia Demokratike, kemi për detyrë të tregojmë të vërtetën, të heqim këtë perde të propagandës dhe të paraqesim realitetin e jetës në Shqipëri. Kjo është një detyrë e rëndësishme për ne dhe për të gjithë ata që duan të shohin një Shqipëri të vërtetë, një Shqipëri ku problemet adresohen dhe jo maskohen.
Një mënyrë për të ndihmuar në lehtësimin e kthimit të mërgatës është forcimi i lidhjeve midis diasporës dhe atdheut. Propozoj gjithashtu që ambasadat tona të krijojnë qendra kulturore që ofrojnë kurse të gjuhës shqipe për fëmijët dhe të rriturit që kanë lindur dhe rritur jashtë vendit. Një lidhje më e fortë me gjuhën dhe kulturën tonë do të ndihmojë në ruajtjen e identitetit kombëtar. Gjithashtu do ta bënte kthimin më të lehtë për të gjithë ata që duan të kthehen e kontribuojnë në ndërtimin e një të ardhmeje në atdhe.
Le të bëhemi të gjithë bashkë për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë, një vend ku të rinjtë dhe mërgata jonë të jenë në qendër të zhvillimit dhe përparimit.
Ju faleminderit!”