ATA THYHEN
Ne mundim, ata thyhen
Vendi ynë i ka mbijetuar shumë plagëve të marra në historinë e tij ndër shekuj, por nëse do të shkruanim sot disa rreshta të cunguar reflektimi për ne shqiptarët, pena e mendimeve do të hidhte mbi letër dy fragmente kohore kur shpirti rebel i shqiptarit u përgjum: gjatë regjimit të diktaturës komuniste, dhe sot, gjatë regjimit të autokracisë moderne.
Në të dy periudhat, trimëria e bijve të Shqipërisë nuk mjaftoi, nuk mjafton, sepse lufta me regjimet ka tjetër doktrinë, ka të tjera rregulla. Regjimet autokratike vrasin ngadalë dhe tinëzisht nën hipnozën e robërisë së mendimit. Nën një doktrinë lufte me njeriun, fitoret më të mëdha të regjimeve autokratike nuk janë ato që arrihen duke mundur trupin e tij, por ato që arrihen duke mundur mendjen e tij.
Beteja me trup për regjimet është betejë e lehtë. I kufizuar dhe i brishtë, trupi shtypet, plagoset, gjymtohet. Mbi të, pushteti ushtron një trysni të drejtpërdrejtë, të cilës edhe vullneti më i madh vështirë se i bën rezistencë. Regjimet synojnë mendjen e njerëzve, dhe nëpërmjet zaptimit dhe nënshtrimit të saj, ato nënshtrojnë mendimin, aftësinë për të arsyetuar, për të ngritur pikëpyetje, për të folur me ndërgjegjen dhe për t’u kthjelluar mbi atë çfarë e rrethon.
Njëjtë si në Shqipëri sot, autokracitë mbijetojnë falë manipulimit të butë të masave, të cilat ushqehen çdo orë me propagandën e mirëfilltë të fasadës. Propaganda depërton në nënndërgjegjen e çdo qytetari duke injektuar indiferencë, pafuqi dhe shok reagimi në mendjet e njerëzve.
Është strategjia e mbijetesës së autokracisë sot në Shqipëri ajo që përcakton fushën dhe mjetet me të cilat kjo autokraci thyhet. Ajo lufton mendjen, ndaj dhe forca për ta thyer gjendet aty. Regjimet munden së pari në mendim duke u çliruar nga helmi që ato injektojnë aty.
Kundërshtari ynë është në dijeni të vigjilencës sonë në këtë luftë mendimi, çka e ka shtyrë të investohet në një betejë të pamëshirshme dhe metodike mbi mendjet e shqiptarëve. Sa më shumë përpiqemi ne me çdo zë dhe formë të kthjellojmë vetveten dhe shqiptarët rreth të vërtetës që fsheh propaganda, aq më shumë mobilizohet pushteti për të mbajtur gjallë fasadën.
Me një disiplinë që u shkon vetëm pasardhësve të Partisë së Punës, ata kanë ndërmarrë një sulm absolut deri në asgjësimin e mendjes së fundit të lirë në vendin tonë. Hap pas hapi, ata kanë ndërtuar një sistem burgu të trurit. Brenda tij, shqiptari nuk mendon më, por pëson në mënyrë të pareshtur sulmet e makinerisë së propagandës dhe ushtarëve të saj.
I varur në mendësinë që imponohet brenda burgut të mendimit, nervi i reagimit është goditur gjithashtu sa herë shqiptari nuk kundërshton më duke pranuar si të mirëqenë ato çka imazhi dhe zëri i pushtetit përcjell tek ai.
Hap pas hapi, propaganda e autokracisë ka qenë e suksesshme jo vetëm në shuarjen e kushtrimit të brendshëm për të reaguar ndaj së keqes së rrënjosur në çdo hallkë të shtetit dhe shoqërisë shqiptare, por ia ka dalë të injektojë helmin e dyshimit dhe mosbesimit, ashtu sikurse të shuajë shpresën se nga ky makth mbarëkombëtar, edhe njëherë, ka shpëtim.
Hap pas hapi, kjo tymnajë helmi na ka verbuar, derisa atje tej në horizont e ka bërë të duket kundërshtarin si të fortë, të madh, të pakundërshtueshëm, ndërsa ai vetë, është i ndërgjegjshëm për dobësinë e tij, dhe si i tillë, ushqen me gjithë fuqinë perceptimin e rremë mbi realitetin e trishtë. Të ndërgjegjshëm se janë pa përmbajtje, ata kanë investuar gjithçka në formë dhe imazh.
Kthjellimi i mendjes, kuptimi i realitetit, zgjimi i nervit të reagimit dhe çlirimi i kushtrimit të veprimit, kanë qenë sfidat që mbajtën bashkë demokratët, zinxhiri i hekurt që iu bë pararojë pushtetit gjatë gjithë kësaj dekade opozitarizmi, ndërsa nxiti përfshirjen e më shumë shqiptarëve pas Rithemelimit.
Për Departamentin Brain Gain, krah për krah me demokratët, në emër të thirrjes së brendshme për vendin që trashëguam e për gurët që do të trashëgojmë, është detyrë madhore mospranimi i këtij helmi propagandistik. Kjo detyrë nis nga ndryshimi i mendimit mbi forcën dhe rolin tonë.
Ne nuk jemi viktima, nuk jemi dënuar të pësojmë, nuk dorëzohemi përsa kohë kemi mjaftueshëm forcë për ta patur mendimin të pavarur e të kthjellët.
Koha dhe rrethanat i kanë dhënë brezit tonë një kartë të rëndësishme në duar, atë të njohjes dhe përvojës në shtete etalon të demokracisë dhe zhvillimit. Të rritur, të shkolluar apo të punësuar në vendet perëndimore, ne e dimë mirë ç’është demokracia, liria, meritokracia, dinjiteti në shoqëri dhe punë.
Për rrjedhojë, ne jemi të qartë se ç’është më e mira për vendin tonë, nga çfarë lëngon ai, në çfarë fataliteti po rrëshket ai. Kjo na jep siguri, pavarësi mendimi dhe vetëbesim përballë çdo imponimi që vjen nga shqiptarë e të huaj, partnerë strategjikë të pushtetit.









